Leo Messi rikthehet nga dëmtimi, pas dy minutash nuk harron që të shënojë… Video

SHBA – Duke u rikthyer në fushë me Inter Miami të shtunën pas rikuperimit nga një dëmtim muskulor, Leo Messi shënoi kundër Philadelphia Union (2-1), dy minuta pasi hyri si zëvendësues.

Bashkatdhetari i tij, trajneri argjentinas, Javier Mascherano, e futi në fushë 37-vjeçarin në minutën e 55-të, kur lojtarët e tij ishin në avantazh 1-0.

Në minutën e 57-të, Luis Suarez gjeti Messin në anën e djathtë të zonës për një goditje fituese me këmbën e djathtë. Pavarësisht golit të Filadelfias, Miami fitoi në shtëpi për të mbetur i pamposhtur në ligë dhe në krye të Konferencës Lindore.

Sa i përket Lionel Messit, ai ka dy gola në tre paraqitje në MLS këtë sezon. “Ne donim ta shihnim Leon për disa minuta”, shpjegoi Javier Mascherano pas ndeshjes. “Ideja ishte që ai të luante për 30-35 minuta. Me kohën e shtuar ai luajti pak më shumë dhe u ndje mirë. Ne nuk donim të rrezikonim me të duke e nisur. Ai përfundoi mirë dhe të gjithë jemi të lumtur”.

Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” humbi ndeshjet kualifikuese të Argjentinës për Kupën e Botës gjatë dritares së fundit ndërkombëtare, pasi pësoi një dëmtim në ijë më 17 mars gjatë ndeshjes së fundit të ligës së ekipit të tij në Atlanta (2-1).