AUSTRI – Nëse për shumicën e sporteve kjo është periudhë pushimi për të shijuar festat e fundvitit, ndodh e kundërta në sportin e skive.
Lara Colturi pas një periudhe pushimesh të shkurtra dhe fillimit të seancave stërvitore në Itali, i është rikthyer dalesës së radhës së Kupës së Botës, në Semmering të Austrisë, ku u rendit në vendin e 11-të në ditën e parë të garimit.
Një rezultat i shkelqyer ky, i cili konsolidon pozitat e skiatores kuqezi në “Top 15” në klasifikimin e përgjithshëm të Sllallomit Gjigand.
Ndërkohë sot u zhvillua disiplina e Sllallomit, ku Lara sërish arriti të bënte një paraqitje shumë të mire, duke u renditur brenda 15 skiatoreve të para në Botë, me kohën e saj të 14-të, pavarësisht se garoi me temperaturë dhe jo në gjendje optimale shëndetësore dhe fizike.
“Ka qenë një fundjavë jo shumë e mire, pasi isha e sëmurë dhe ende nuk ndihem mirë, megjithatë arrita të marr dy rezultate positive, duke u renditur brenda “Top 15”-shes pasi dhash maksimumin tim. Por tani për fat do të kem pak kohë për pushim që të rikuperohem dhe të jem në formën më të mirë për garën e ardhshme,”- u shpreh skiatorja kuqezi Lara Colturi, pas garës së sotme.
Me këtë rezultat skiatorja jonë mbyll një vit të jashtëzakonshëm për të dhe Shqipërinë, ku mund të permendim faktin, se gjatë 2024 Lara ka arritur 10 herë të jetë në “Top 15” dhe nga këto 4 herë midis “Top 10” më të mirave. Cirkuiti i Kupës së Botës do të rifillojë vitin e ardhshëm, që do të thotë vetëm pas pak ditësh, në 4-5 janar në Kranjska Gora të Sllovenisë.













