Është miratuar me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezoluta për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit.
Rezoluta u miratua pa prezencën e deputetëve të opozitës, të cilët lajmëruan një ditë më parë se nuk do të marrin pjesë në seancë.
Në projektrezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.
Drafti dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.













