Kushtetuesja i pezulloi dekretin e zgjedhjeve në Tiranë, reagon Presidenca: E respektojmë vendimin

Presidenca ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e Bajram Begajt për datën e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas ankesës së paraqitur nga Erion Veliaj, i cili pretendon se shkarkimi i tij është bërë në shkelje të Kushtetutës.

Deri në shqyrtimin e ankesës së Veliajt, të caktuar për datën 31 tetor, Kushtetuesja ka vendosur pezullimin e dekretit të Begajt.

“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025”, deklaron Presidenca.

Vendimi i Kushtetueses nuk prek zgjedhjet e caktuara për pesë bashki të tjera në datën 9 nëntor, së bashku me dekretin për Tiranën.