ELBASAN – Mes kaosit dhe kontestimeve ka qenë mbyllja e ndeshjeve të para çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Gjithçka ndodhi në ndeshjen e fundit mes Elbasanit dhe Partizanit, ku të dyja skuadrat ishin të kujdesshme për të mos rrezikuar më shumë seç duhet.
Dhe me një barazim 0-0 ndeshja po shkonte drejt fundit, kur në minutën e 89-të, Kasa ndalon në mënyrë të parregullt Skukën. Dhe për vendimin që nëse ka qenë jashtë zonës së rreptësisë, u kërkua verifikimi në VAR, i cili akordoi penallti që solli të gjithë shfryrjen e tensionit.
Gjithsesi Skuka e ka shndërruar në gol këtë 11-metërsh dhe pas rreth 100 minutash lojë, takimi i parë i këtij çifti për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë shkoi në favor të Partizanit, që ka një avantazh të madh për ndeshjen e dytë për të kaluar në gjysmëfinale.
Ndeshjet e kthimit të fazave çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 4 mars.














