Qeveria ka miratuar udhëzimin për metodat e analizimit të treguesve të vajit të ullirit që duhet të zbatohen nga prodhuesit dhe ambalazhuesit me qëllim kontrollin e cilësisë.
Kryerja e analizave sipas metodave të përcaktuara në udhëzim si për vajin e ullirit që prodhohet dhe tregtohet për konsum dhe për vajin e bërsive të ullirit ka si qëllim kontrollin e përputhshmërisë së cilësisë me kriteret e përcaktuara në ligjin “Për kategorizimin e prodhimit, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsisë së ullirit”.
Udhëzimi i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton në mënyrë të detajuar të gjitha rregullat për kryerjen e analizave të vajit të ullirit nga operatorët prodhues. Më pas rezultatet e analizave të kryera do të krahasohen me normat e legjislacionit në fuqi.
Tregtimi i vajit të ullirit në vend vijon të mbetet problematik për shkak të informalitetit të lartë, ku pjesa më e lartë e tij tregtohet nga fermerët në bidona plastikë.
Për qëllim të verifikimit të normave të përcaktuar në legjislacion duke përfshirë aciditetin, vlerën e peroksideve, etj kur rezultatet e analizave kontestohen nga operatori, ai ka të drejtë të bëjë rianalizimim, për rastin e vajit të ullirit të ambalazhuar ai ka të drejtë të kryejë përpara datës së skadencës. Në rastin kur mostra e vajit të ullirit është marrë në depozita, rianalizimi kryhet brenda 6 muajve nga marrja e mostrës.
Ligji “Për kategorizimin e prodhimit, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsisë së ullirit” sakaq parashikon sanksione me gjobë nga 100 mijë deri 200 mijë lekë nëse prodhuesit përdorin ose reklamojnë karakteristika organo-shqisore të vajit të ullirit të virgjër, të cilat nuk janë përcaktuar në ligj.













