Kontroll me urdhër të SPAK në paraburgimin e Bradasheshit, sekuestrohen pajisje wireless dhe pije alkoolike

ELBASAN – Një kontroll i befasishëm është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në paraburgimin e Bradasheshit, në sektorin ku mbahet i izoluar Ergys Agasi.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë kontrollit në ambientet e kuzhinës së sektorit janë gjetur dhe sekuestruar pije alkoolike dhe pajisje wireless. Sendet e sekuestruara janë dërguar për ekspertim, ndërsa pritet që verifikimet të përcaktojnë origjinën dhe përdorimin e tyre.

Kontrolli është kryer në kuadër të verifikimeve të lidhura me situatën në institucionin e paraburgimit. Deri tani nuk janë bërë të ditura të tjera detaje mbi personat përgjegjës për futjen apo posedimin e sendeve të sekuestruara.

Kush është Ergys Agasi?
Ergys Agasi u arrestua pak javë më parë në Durrës, pas disa muajsh në kërkim nga autoritetet. Ai u lokalizua në zonën e Plepave dhe u arrestua së bashku me ish-efektivin e Policisë, Uljan Shpataraku.

Agasi është nën hetim nga SPAK në kuadër të një dosjeje që lidhet me procedurat e prokurimit publik dhe tenderët e AKSHI-t. Sipas akuzave të ngritura nga organi i akuzës, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në manipulimin e tenderëve publikë.

Në kuadër të së njëjtës dosje, autoritetet kanë kryer edhe kontrolle të tjera, përfshirë një kontroll në banesën e Uljan Shpatarakut në zonën e Liqenit të Thatë, ku janë sekuestruar prova elektronike dhe dokumente që dyshohet se mund të kenë lidhje me hetimin.

Hetimet vijojnë, ndërsa personat e përfshirë në procedim konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.