Bashkia Elbasan do të paguajë 600 mijë lekë në muaj për një strehë 170 m2 ku do të strehohen qentë pa pronarë. Në këshillin bashkiak u diskutua rinovimi i kontratës ku kryetari i bashkisë theksoi se streha aktuale plotëson kushtet e kërkuara për të strehuar kafshët bashkë me shërbimin veterinar.
“Streha do të plotësojë të gjitha kushtet, do të ketë ambiente të posaçme si për qentë që kanë nevojë për kurim dhe për kafshët e shëndetshme”- u shpreh kryebashkiaku.

Këshilltari Ergys Muzhaqi theksoi se shuma e vendosur për këtë strehë është e lartë dhe cështja duhet diskutuar si ky shërbim të jetë më cilësor. Pasi në qytet vazhdojnë të lëvizin tufa kafshësh duke u kthyer në problem për qytetarët. Por pavarësisht kundërshtimit të këshilltarëve të djathtë, këshilli miratoi sërish rinovimin e kontratës për strehën.

Të pyetur qytetarët thonë se pavarësisht se bashkia ka një strehëz, ata janë përballur me kafshë të rrugës madje edhe në incidente.
“Unë banoj pranë markatës, përballemi pdo ditë me qentë e pastrehë dhe kemi pasur shpesh incidente. Para pak kohësh ndihmova një grua me fëmijën e vogel sepse iu sulën qentë që rrinë aty rrotull”- u shpreh një qytetar.
Qytetarët ankohen në lidhje me këtë situatë dhe thonë se qentë e rrugës janë problem në shumë lagje.
“Ke frikë të shkosh deri tek furra e bukës sepse të sulen qentë të uritur”- u shpreh një tjetër.
