Koncesionet/ Hiqen kontratat me 1 EURO, ja ndryshimet në ligjin e ri të PPP-ve

Kontratat e partneritetit publik-privat tashmë do të trajtohen me një ligj tërësisht të ri, ku është hequr edhe koncepti i dhënies në përdorim të pasurive publike me vlerën simbolike 1 euro.

Ligji i ri për “koncesionet dhe partneritetin publik privat” është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 28 janar.

Por cilat janë risitë që sjellë ky ligj?

Ligji vendos rregulla të qarta për planifikimin, dhënien, administrimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të koncesionit, duke u mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit dhe sigurisë juridike. Konkretisht, për çdo koncesion duhet të jetë bërë paraprakisht studimi i fizibilitetit i miratuar edhe nga Ministria e Financave, pasi të jenë analizuar të gjitha kostot-përfitimet dhe mundësitë me rrezik për buxhetin e shtetit.

Në ligj vendosen kritere të forta që njësitë vendore (Bashkitë) të mos hyjnë në kontrata afatgjata pa pasur kapacitete financiare dhe parashikohet që ranë çdo institucioni do të krijohen njësitë e posaçme që do të monitorojnë zbatimin e kontratës në kohë reale. Po ashtu, parashikohet Funksionalizimi i plotë i Regjistrit Elektronik të Koncesioneve, ku do të publikohen dokumentet e procedurave.

Sipas ligjit, para nënshkrimit të kontratës, autoriteti kontraktues ose enti kontraktues merr nga ofertuesi më i suksesshëm garancitë e kërkuara për realizimin e kontratës dhe instrumentet e sigurisë si kompensim për dëmin që mund të shkaktohet si pasojë e dështimit të koncesionarëve/partnerëve privatë për të përmbushur detyrimet e parashikuara.

Sigurimi i kontratës së koncesionit/ partneritetit publik privat të shërbimeve publike do të jetë deri në 5% të vlerës së kontratës. Kjo masë mund të reduktohet në mënyrë përpjesëtimore gjatë ekzekutimit të kontratës, por në asnjë rast gjatë kohëzgjatjes së saj nuk mund të jetë më e vogël se 25% e vlerës fillestare të sigurimit.

Sigurimi i kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat të punëve publike do të jetë deri në 5% të vlerës së ndërtimit, ndërsa pas periudhës së ndërtimit do të jetë deri në 5% të vlerës së mbetur të kontratës.

Sa i takon tarifave të koncesionit, shuma dhe mënyra e kompensimit monetar duhet të specifikohet konkretisht në dokumentet e tenderit dhe në kontratën e koncesionit/partneritetit publik privat.

Nga tarifa e koncesionit do të përjashtohen koncesionet/partneritetet publike private, që aplikohen në fushën e shëndetësisë dhe në fushën e sportit. Në rast mospagese, urdhri i ministrit përbën titull ekzekutiv për bankat e nivelit të dytë.

Afati i kontratave do të jetë në varësi të punëve ose shërbimeve të kërkuara. Për kontratat që zgjasin më shumë se 5 vjet, afati maksimal nuk duhet të kalojë kohën e arsyeshme për rikuperimin e investimeve dhe një kthim mbi kapitalin e investuar. Sipas ligjit, lejohet ndryshimin e kontratës jo më herët se 2 vjet nga fillimi i zbatimit, nëse kjo është parashikuar në dokumentet fillestare.

Nënkontraktimi nuk duhet të tejkalojë 50% të vlerës së përgjithshme të kontratës. Autoriteti kontraktues miraton nënkontraktorët përpara lidhjes së nënkontratës dhe operatori ekonomik kryesor mbetet plotësisht përgjegjës për zbatimin e kontratës, pavarësisht nënkontraktimit. Operatorët do të kenë të drejtë për transferim kontrate nëse subjekti i tretë përmbush kriteret e kualifikimit, të përcaktuara në dokumentet e tenderit, por vetëm pas marrjes së miratimit paraprak nga ministria përgjegjëse për financat.

Ligji përcakton se Autoriteti ose enti kontraktues mund të ndërpresë kontratën kur koncesionari/partneri privat nuk mund të kryejë detyrimet e veta, për shkak të paaftësisë paguese, shkeljeve serioze apo çështjeve të tjera, që pengojnë apo nuk lejojnë vazhdimin e kontratës apo dështon në sigurimin e financimit të projektit brenda 12 muajve, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në kontratë.

Risitë e ligjit të ri të koncesioneve

Analizë e fizibilitetit teknik dhe financiar para miratimit të projektit;

Çdo projekt me ndikim financiar, miratimin ex-ante nga Ministria e Financave;

Bashkitë nuk lejohet të firmosin kontrata afatgjata pa pasur kapacitete financiare;

Krijohen njësitë e posaçme për monitorimin e kontratave në kohë reale;

Funksionalizimi i plotë i Regjistrit Elektronik të Koncesioneve;

Garanci, 5% e vlerës së kontratës./scantv