Komplikohen llogaritë për titullin, Dinamo ndez garën në “Final Four”

Fitorja 0-2 e Dinamo City ndaj KF Vllaznia në “Air Albania” ka ndërlikuar ndjeshëm garën për titullin kampion në “Final Four”, duke e bërë renditjen më të ngushtë dhe më të paqartë se më parë.

Me këtë triumf, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ngjitet në kuotën e 27 pikëve, duke u afruar me rivalët direktë në renditje dhe duke mbajtur të hapur plotësisht garën për trofeun.

Sipas ecurisë aktuale, Dinamo mbetet 4 pikë prapa KF Elbasani dhe Vllaznisë, të cilat ndajnë pozicionet e para në këtë fazë vendimtare të kampionatit.

Situata pritet të bëhet edhe më interesante pas ndeshjes së radhës mes Elbasanit dhe FC Egnatia, ku një fitore e mundshme e skuadrës së drejtuar nga Ivan Gvozdenović do ta afronte atë shumë pranë titullit kampion.

“Final Four” po hyn kështu në një fazë vendimtare, ku çdo ndeshje pritet të ketë ndikim direkt në fatin e sezonit dhe në shpalljen e kampionit të ri të futbollit shqiptar.