Komisioni i Venecias: Pezullimi ose zëvendësimi i kryetarëve të bashkive të paraburgosur shkel autonominë vendore

Ndikimi i paraburgimit të kryetarëve të bashkive është i dyfishtë: ai mund të ndikojë jo vetëm mbi të drejtat individuale të kryetarit të prekur, por gjithashtu shtrihet përtej individit dhe ndikon mbi të drejtat e zgjedhësve, zgjedhja e të cilëve, e shprehur në mënyrë demokratike përmes votës, mund të dëmtohet përmes emërimit të një kryetari bashkie që nuk përputhet me vullnetin e tyre zgjedhor.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, paraburgimi mund të pengojë ndërveprimin publik dhe shprehjen e ideve, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë. Në mënyrë të tërthortë, ai dekurajon aktorët publikë dhe qytetarët nga pjesëmarrja në mbledhje politike apo protesta, për shkak të frikës nga ndëshkimi përshkak të shoqërimit ose të hakmarrjes politike.

Paraburgimi ose pezullimi i përfaqësuesve vendorë mund të interpretohet si një cenim i garancive institucionale të vetëqeverisjes vendore të paktën në dy aspekte kryesore. Së pari, ai ndërhyn në ushtrimin e lirë të mandatit (neni 7(1)) duke privuar zyrtarët e zgjedhur nga aftësia për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre. Së dyti, ai pengon të drejtën e qytetarëve për të përcaktuar interesat e tyre përmes tëzgjedhurit prej tyre (neni 3(2)), duke gërryer kështu karakterin përfaqësues të demokracisë vendore.