Tiranë, 19 maj 2025 – Komisioneri për të Drejtën e Informimit u ka drejtuar një rekomandim zyrtar pothuajse të gjitha spitaleve publike në vend, me qëllim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e informimit të publikut përmes publikimit të të dhënave të rëndësishme në faqet zyrtare.
Rekomandimi i është dërguar institucioneve kryesore shëndetësore, përfshirë QSUT, Spitalin e Traumës, Spitalin “Shefqet Ndroqi”, dy maternitetet “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, si dhe spitalet rajonale në Durrës, Shkodër, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Lezhë dhe Korçë.
Në dokumentin e shpërndarë, Komisioneri ka përcaktuar një sërë kategorish informacioni që duhet të jenë të publikuara dhe lehtësisht të aksesueshme për qytetarët, përfshirë:
Strukturën organizative dhe funksionet e autoritetit publik;
Kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e institucionit;
Procedurat për të drejtën e informimit dhe ankesave;
Mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit;
Buxhetin dhe të dhënat financiare;
Procedurat e prokurimit dhe partneritetet publik-privat;
Shërbimet që ofrohen nga spitali;
Vendimmarrjen për aktet ligjore dhe politikat publike;
Regjistrin e dokumenteve dhe të kërkesave për informacion;
Ndihmën sociale dhe subvencionet;
Informacionet më të kërkuara nga publiku.
Ky hap vjen në kuadër të reformimit të sistemit spitalor dhe rritjes së autonomisë së spitaleve, në përputhje me ligjin përkatës. Komisioneri ka theksuar se informacionet duhet të jenë të përditësuara, të kuptueshme dhe të aksesueshme në faqet zyrtare të institucioneve.
