Këshilli i Qarkut Elbasan nderon Ambasadorin e Arabisë Saudite me Certifikatë Mirënjohjeje

Këshilli i Qarkut Elbasan organizoi sot një ceremoni zyrtare për të nderuar Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, z. Faisal Ghazi Al-Hafthi, duke i akorduar Certifikatë Mirënjohjeje, në bazë të vendimit nr. 22, datë 14 janar 2026.

Ceremonia u zhvillua në praninë e Kryetares së Këshillit të Qarkut Elbasan, dr. Ermira Urupi, përfaqësuesve të pushtetit vendor, institucioneve akademike dhe fetare, anëtarëve të këshillave bashkiakë, si dhe Ambasadorit të Shtetit të Katarit në Shqipëri, z. Jaber bin Ali Al-Dosari, përfaqësuesve diplomatikë dhe personaliteteve të jetës kulturore e shoqërore.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan, dr. Ermira Urupi, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite për komunitetin lokal, duke theksuar veçanërisht ndihmën për fëmijët me aftësi të veçanta dhe fëmijët jetimë, si dhe kontributin në ndërtimin e urave të dialogut kulturor dhe shoqëror mes dy popujve. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e projekteve të financuara nga Fondi Saudit për Zhvillim, të cilat po zbatohen në Qarkun e Elbasanit dhe kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledjan Llatja, u shpreh se ky vlerësim nuk përfaqëson vetëm Bashkinë e Elbasanit, por të gjitha shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan. Ai theksoi vizionin dhe angazhimin e Ambasadorit dhe stafit të Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe promovimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok mes dy vendeve.

Certifikata e Mirënjohjes iu akordua Ambasadorit saudit në shenjë vlerësimi për rolin e tij human dhe diplomatik, për kontributin në promovimin e dialogut, tolerancës, bashkëjetesës dhe shkëmbimeve kulturore, si dhe për mbështetjen e zhvillimit shoqëror në nivel lokal.

Gjatë ceremonisë, Ambasadori Faisal Ghazi Al-Hafthi shprehu falënderimet e tij për këtë vlerësim, duke theksuar se kjo mirënjohje përfaqëson një dëshmi të marrëdhënieve të forta të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Shqipërisë. Ai vuri në dukje rëndësinë e dialogut kulturor dhe ndërfetar si një bazë thelbësore për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në përfundim, Këshilli i Qarkut Elbasan theksoi se ky vlerësim pasqyron angazhimin institucional për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për vlerësimin e kontributeve diplomatike që ndërtojnë ura mirëkuptimi dhe solidariteti mes popujve.