‘Ka kaluar vijën e kuqe’! Berisha paralajmëron përjashtimin e Salianjit nga PD

17 Dhjetor, 2025

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se në gjithë karrierën e tij politike dhe në ditët më të vështira, kurrë nuk ka bërë dhe nuk do bëj kompromis me krimin. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se ka informacione se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit të Salianjit në Elbasan.

Nga zyra e selisë blu, Kryedemokrati deklaroi se ai që ndërmerr një veprim të tillë, tejkalon vijën e kuqe dhe është përgjegjës për veten e tij. Berisha tha se është absolutisht e papranueshme, që një anëtar i koruptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë takime me Suel Çelën, të cilin e quajti kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit. Në fund, Berisha përshëndeti të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike të Elbasanit dhe strukturat e saj që e bojkotuan një takim të tillë.

“Tani, do të ju them një gjë. Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira, kurrë, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Dhe në qoftëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht nga çmimi që ka patur, kam bindjen më të thellë se, ka qenë dhe është vendimi më i drejtë.

Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse, bashkëpunimi me krimin. Që një anëtar i kuoptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e një prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë. Në këtë kontekst ai që ndërmerr një veprim të tillë, ai tejkalon vijën e kuqe dhe ai është përgjegjës për veten e tij.

Nuk mund të pranoj kurrë, edhe njëherë asnjë formë bashkëpunimi me asnjë nga kartelet e drogës, as me organizatat kriminale. Përsa i përket takimit që thoni ju, kemi informacione, jo një por disa të cilat pohojnë se, Suel Çela ka qenë organizator në hije kryesor i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike të Elbasanit, strukturat e saj që e bojkotuan me neveri një takim të tillë. Pra kjo parti ka linjë absolute të kuqe, çdo formë bashkëpunimi me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës, kaq.” tha Berisha