Jo djegie por riciklim: Sfida e Peqinit për pastrimin e plehrave

Raportimet e qytetarëve ngrenë shqetësimin për menaxhimin e mbetjeve, sidomos në periferi dhe zonat rurale.

Menaxhimi i mbetjeve urbane përbën edhe shqetësimin më të madh për bashkitë me një numër të vogël popullsie dhe mungesë fondesh në qarkun Elbasan. Një ndër këto bashki është Peqini me rreth 26 mijë banorë sipas CENSUS 2011 por që ka ardhur vazhdimisht në ulje për shkak të migrimit dhe emigrimit të popullsisë. Me reformën administrative bashkia Peqin duhet të administrojë dhe pastrimin e njësive rurale.

Sipas të dhënave nga institucioni vendor aktualisht kjo bashki menaxhon rreth 19.4 ton mbetje në ditë, të cilat përfundojnë në fushën natyrale të zgjedhur për depozitimin e mbetjeve. E vendosur buzë përroit kjo fushë përbën edhe një tjetër faktor ndotës për lumin Shkumbin. Ndërkohë rruga kalon mbi kalldrëmin e “Via Egnatia”, një fragment i rëndësishëm historik.Fusha aktuale e quajtur Ishpoligoni është miratuar me një vendim të Këshillit Bashkiak por ende nuk ka marrë një leje mjedisore edhe pse shfrytëzohet prej 15 vjetësh.  Në venddepozitimin e mbetjeve ka vetëm një roje të punësuar  i cili mban edhe regjistrin e sasisë ditore të mbetjeve që depozitohen aty. Kostot e mëdha të transportit deri në incinerator kanë bërë që kjo bashki të heqë dorë nga mundësia për ti derguar drejt Elbasanit siç kanë zgjedhur shumë bashki të tjera të qarkut.

Depozitimi i mbetjeve urbane nuk është i vetmi problem në bashkinë Peqin. Nga raportimet e qytetarëve nëpërmjet InfoElbasani situata duket shqetësuese sidomos në zonat periferike dhe ato rurale. Mbetjet urbane gjenden përreth kalasë së Klaudianës, në kanalin vaditës Peqin-Kavajë, në të dy krahët e urës që lidh Peqinin me njësinë Gjocaj dhe në gropa natyrale të krijuara në njësitë administrative rurale. Banorët ngrenë gishtin për papërgjegjshmëri të vetë qytetarëve në hedhjen e mbetjeve dhe në mungesë të koshave në zonat periferike që ndodhen pranë lumit apo kanalit vaditës Peqin-Kavajë që përshkon këtë bashki. Gjithashtu vlerësojnë me mjaftueshëm cilësinë e pastrimit në qytet dhe veçanërisht në zonat rurale. Një banor tha se do ti jepte notën 5 bashkisë Peqin për cilësinë e pastrimin. “Peqini është një “garbage” i madh dhe unë do ti jepja notën 5, pra mjaftueshëm”theksoi ai. Ndërkohë një tjetër qytetar nuk quan problem cilësinë por hedhjen e mbetjeve vend e pa vend. “Fajin e kanë banorët që i hedhin në kanal, në lumë kudo duke berë atë pamje që shihni”. Banorët thanë se riciklimi në vend do të ishte zgjidhja më e mirë pasi kështu edhe punësohen njerëzit. “Më mirë ti mbajnë në Peqin dhe ti riciklojnë që të punësohen se papunësia këtu është e madhe” tha një tjetër qytetar i pyetur nga infoElbasani.

Për shkak të kostove të transportit bashkia Peqin ka vendosur si rrugëzgjidhje për menaxhimin e fushës së mbetjeve riciklimin. Përgjegjësja e Urbanistikës pranë bashkisë Peqin, Anita Dehima konfirmon se në bashkëpunim me Projekt gjerman të GIZ do të ndërtohet një kapanon riciklimi, i cili do të përfundojë brenda 6 muajve. Riciklimi do të menaxhohet nga bashkia Peqin dhe paratë e fituara do të kalojnë në buxhetin e saj. “Ne kemi përfituar asistencën teknike dhe material nga projekti GIZ për ndërtimin e kapanonit për riciklim. Afati i punimeve do të jetë 6 muaj dhe pritet punësimi edhe i disa punëtorëve që do të merren me këtë proces”. Sa i përket menaxhimit, Dehima konfirmoi se pastrimi administrohet nga një kompani private si në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale.

Ndërgjegjësimi i banorëve mbetet një shqetësim më vete ndërkohë që nga pushteti vendor kërkohen më shumë kosha sidomos në zonën periferike dhe më shumë vëmendje, që pamja në hyrje të Peqinit të mos jetë më e tillë dhe lumi Shkumbin të mos konsiderohet më një venddepozitim i shpejtë e i rastësishëm i mbetjeve urbane të banorëve të kësaj bashkie.