“Janë rritur vetëm çmimet e perimeve dhe karburanteve”, Ibrahimaj: Do subvencionojmë shtresat në nevojë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj foli për çmimet e larta, duke thënë se nga monitorimet e kryera është vënë re se ka pasur rritje të çmimeve vetëm në kategorinë e perimeve dhe se për këtë do garantohet subvencionim.

“Që nga mesi i muajit mars kemi parë rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve, por që prej fillimit të krizë kemi monitoruar çmimet. Rritja ka ndodhur vetëm në kategorinë e perimeve dhe të gjitha kategoritë e tjera të ushqimeve nuk kanë reflektuar rritje. Garantoj publikun që ky shqetësim monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe diskutohet në çdo mbledhje të këshillit të Ministrave, pasi do kujdesemi të subvenciojmë të gjitha shtresat në nevojë me të ardhura të ulëta që nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve. Garantojmë që pasojat e luftës do kenë ndikim mininal në ekonominë shqiptarë dhe në shtresat që nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve”, tha ajo.

Gjithashtu nënvizoi se po monitorohen çmimet me bazë ditore, duke shtuar se nuk ka pasur rritje te produkte e shportës.

“Jemi duke monitoruar çmimet në bazë ditore. Kemi informacion se vetëm kategoria e karburanteve ka pasur rritje dhe jo produktet e shportës. Inflacioni në muajin mars, shënoi nivelin 2.6% që është një nivel i kontrolluar ende. Siç thash, e vërteta është se në të kaluarën kemi ndërhyrë në një subvencionim për shtresat në nevojë. Nëse do të shohim rritje, do të ndërhyjmë. Efektet e luftës kanë ndikim si në çdo vend tjetër të botës”, shtoi Ibrahimaj.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj, theksoi se qëllimi i Bordit është që çmimet mos të rriten në mënyrë spekulative. Më tej ajo tha se qeveria nuk do të ulë taksën e qarkullimit.

“Është temë e diskutuar sa herë ka rritje të karburanteve. Prioritet është që të kujdesemi që kriza të përcillet në nivele të ulëta në tregun shqiptar. Qëllimi i Bordit është që çmimet mos të rriten në mënyrë spekulative. Mendojmë se nuk ka nevojë për ndërhyrje në taksën e qarkullimit. Mblidhet në këtë formë, pasi është e drejtë të mblidhet ashtu. Ai që konsumon më shumë karburant, bën më shumë konsum dhe paguan më shumë. Do të reduktojmë akcizën me 20% sa herë që çmimi shkon mbi 220 lekë”,tha ajo.