Ish-deputetja greke: Edi Rama studioi me bursë greke në Harvard falë meje

Ish-deputetja Niki Tzavella, ka pretenduar se kryeministri Edi Rama mori një bursë nga një fondacion grek për të studiuar në Harvard.

Media greke shkruan se sipas ish-deputetes, kryeministri shqiptar, studioi në Universitetin e Harvardit me një bursë nga një fondacion grek, ku Tzavella ishte vetë nënkryetare.

Niki Tzavella, përgjegjëse për përzgjedhjen e studiuesve të Evropës Juglindore në Harvard, zbuloi në një postim në X, se ishte ajo që zgjodhi kryeministrin, asokohe kryetarin e atëhershëm të bashkisë së Tiranës, për të studiuar me bursë nga një fondacion grek.

Megjithatë, postimi i saj u “korrigjua” nga Petros Kokkalis, i cili i shkroi asaj në X. “Nuk e mbani mend mirë, Edi Rama nuk ka aplikuar kurrë për Programin Kokkalis. Megjithatë, ai na nderoi, si shumë udhëheqës të Evropës Juglindore, me pjesëmarrjen e tij si Kryetar Bashkie në fjalimet që organizuam në Harvard.”

Nuk do t’ju kundërshtoj, ishte përgjigjja e znj. Tzavella.

Sipas Tzavella, kriteri kryesor për të marrë këtë bursë, ishte të kishe prejardhje nga minoritetet. Media greke shkruan se, kryeministri shqiptar e përmbushi kërkesën, pasi nëna e tij është greke.

“30 vjet më parë ai nuk ishte famëkeq. E zgjodha për shkak të njohurive të mia shumë të mira për Shqipërinë, për shkak të punës sime të mëparshme atje. Ai ishte gjysmë minoritar, kishte kualifikimet e kërkuara (kryetar bashkie, të cilat nuk i kishin njerëzit e tjerë të minoriteteve. Ishte e detyrueshme që ai të ishte institucional) dhe sigurisht që ishte i aftë. Shqiptari tjetër me të cilin studiuam u bë Ministër i Financave, unë ia kisha pagëzuar fëmijën, ai vdiq i ri. Nuk kishte kuptim. Në fund të fundit, në Evropën Juglindore në atë kohë kishte shumë pak njerëz që përmbushnin kërkesat për një arsimim në Harvard. Do të habiteni kur të shihni se cilët politikanë në Evropën Juglindore erdhën nga ky Fondacion. Ndoshta unë i kam ofruar më shumë Shqipërisë. Gabimi im MË I MADH ishte që e zgjodha atë për të studiuar në Harvard, herën e parë, me një bursë nga Fondacioni Helenik. PRANDAJ ai e urren Greqinë. Sepse nga një Kryetar Bashkie gjysmë i egër i Tiranës, ai studioi në Amerikë.”– shkruan ajo.

Ky postim vjen si pas sulmit të kryeminstrit Rama ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios gjatë Samitit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.