Irani nis hakmarrjen me operacionin “Shpallja e Fitores”, sulmon me raketa bazat amerikane në Katar dhe Irak

Irani ka nisur sulm me raketa ndaj bazave amerikane në Katar dhe Irak, pasi mediat ndërkombëtare raportuan shpërthime në Doha. Media shtetërore iraniane konfirmoi se Irani ka nisur sulmin me raketa në kuadër të operacionit të quajtur “Shpallja e fitores”.

Burime ushtarake i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se sistemi i mbrojtjes ajrore është aktivizuar në bazën ajrore Ain al Asad në Irak.

Irani kishte kërcënuar më parë se do të hakmerrej kundër SHBA-së pas sulmeve në centralet e saj bërthamore gjatë fundjavës.

Pak më herët, Katari njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore.

Njoftimi erdhi pak orë pasi Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të paralajmëruan qytetarët e tyre atje të strehohen.

E gjitha kjo vjen pasi SHBA-të kryen sulme ajrore ndaj centraleve bërthamore iraniane gjatë fundjavës.