Integrimi europian dhe realiteti i kostos së lartë të jetesës në Shqipëri

Procesi i integrimit europian është paraqitur si një histori suksesi, me theks të veçantë në përshpejtimin e mbylljes së kapitujve të integrimit. Në planin administrativ, Shqipëria po përparon në përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Por integrimi europian nuk është vetëm harmonizim legjislacioni. Ai është edhe harmonizim i standardit të jetesës. Për qytetarët, integrimi matet me fuqinë reale të pagës dhe me koston e shportës së përditshme.

Çmimet janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat:

Sot Shqipëria ka çmime në 64% të BE-së, por të ardhura vetëm 21%. Diferenca prej 43 pikë përqindjeje është më e larta në rajon. Serbia ka 61% nivel çmimesh dhe 34% të ardhura; Mali i Zi 59% çmime dhe 41% të ardhura. Shqipëria rezulton ndër më të shtrenjtat në Ballkan, por me të ardhurat më të ulëta relative.

Ushqimet: pothuajse në nivelin e BE-së

Situata bëhet edhe më domethënëse kur analizohen ushqimet. Në vitin 2024, kategoria “Food” në Shqipëri është 99.6% e mesatares së BE-së. Pra, ushqimi paguhet pothuajse me çmime të njëjta me BE-në. Në disa kategori Shqipëria është mbi mesataren e BE-së:

Në kategori të tjera diferenca është shumë e vogël në krahasim me çmimet mesatare në BE:

Këto janë produkte baze, jo mallra luksi. Kur pjesa më e madhe e ushqimeve janë mbi ose afër mesatares së BE-së, ndërsa paga është 21% e BE-së, presioni mbi familjen është i qartë.

Struktura e buxhetit e përforcon presionin

Një tregues i qartë i nivelit të mirëqenies është mënyra se si familjet shpërndajnë të ardhurat e tyre. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve (INSTAT), në vitin 2024 rreth 39.6% e buxhetit të familjeve shqiptare shkon për ushqime dhe pije joalkoolike. Në BE-27 kjo peshë është 13–15%.

Kjo do të thotë se familjet shqiptare shpenzojnë pothuajse trefishin e peshës europiane për produkte baze. Në këtë strukturë, çdo rritje çmimi ka efekt të menjëhershëm dhe shumëfishues mbi mirëqenien. Në një ekonomi ku 40% e të ardhurave shkojnë për ushqim, çdo rritje çmimi ka efekt të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë mbi mirëqenien.

Integrimi formal dhe integrimi real

Mbyllja e kapitujve është proces teknik. Por integrimi real matet me aftësinë e qytetarëve për të përballuar jetesën me dinjitet. Nëse çmimet afrohen me Europën shumë më shpejt se pagat, atëherë kemi një përafrim formal, por jo një përafrim real të standardit të jetesës.

Diferenca e lartë midis çmimeve dhe të ardhurave, e kombinuar me peshën e lartë të ushqimeve në buxhet, krijon:

Në këtë kontekst, integrimi europian nuk mund të matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por edhe me nivelin real të jetesës së qytetarëve. Shqipëria po afrohet me BE-në në planin institucional dhe në nivel çmimesh. Por në planin e mirëqenies reale, hendeku mbetet i thellë. Ushqimi është pothuajse në nivelin e BE-së, madje mbi BE-në në disa kategori, ndërsa të ardhurat mbeten një e pesta e standardit europian. Integrimi europian nuk mund të jetë vetëm proces administrativ. Ai duhet të jetë përmirësim konkret i jetës së qytetarëve. Europa fillon në standardin real të jetesës./Monitor.al