TIRANE – Pritej mrekullia dhe ajo ndodhi. Në “Air Albania” Dinamo City dhe Hajduk Split i kanë dhënë jetë një takimi që do të mbahet mend gjatë nga tifozët e të dy ekipeve. Blutë e Ilir Dajës mund të kualifikoheshin për më tej nëse merrin një fitore me dy gola diferencë, pasi kishte humbur takimin e parë me shifrat 2-1 në Split të Kroacisë.
Dhe Zabërgja dha sinjalin, ai bëri gjithçka mire, pasi shënoi një gol të hershëm në minutën e 14-të, duke treguar se kualifikimi nuk ishte më një utopi. Dinamo besoi deri në fund duke vendosur në vështirësi Hajdukun, i cili ishte më fat në minutën e 60-të pasi golin e Devi Bregut e pengoi vetëm tranversa, e cila pengoi topin të përfundonte në rrjetë.
Në të minutën e 78-të Hajduku mbeti me 10 lojtarë, pasi Saniang u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje të gabuar në sulm ndaj Qardakut.
Ky episod i dha edhe më shumë besim Dinamo Cityt se mund të bënte diçka më shumë në superioritet numerik, por në shtesa ekipi mik përdori eksperiencën e grumbulluar në të tilla kompeticione ndër vite, duke gjetur golin e barazimit pas një gjuajtje me kokë të Karaçiç, në minutën e 99-të, i cili i jepte kualifikimin kroatëve.
Por dinamovitët nuk ishin dorëzuar dhe brenda dy minutash i dhanë dy goditje të forta ekipit kroat. Qardaku në të 109-tën dhe Berisha në të 111-tën shënuan respektivisht golin e dytë dhe të tretë për Dinamon, e cila fitoi ndeshjen 3-1, duke u kualifikuar për tej falë rrezultatit të përgjithshëm 4-3.
Në ndeshjen e radhës pas një jave, në fazën “play-off” Dinamo City do të përballet me polakët e Jagiellonia, e cila eliminoi danezët e Sikeborgut (1-0 dhe 2-2). Ndeshja e parë do të luhet jashtë.
