Historike! Britania, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës

PALESTINË- Britania, Kanadaja dhe Australia kanë ndërmarrë hapa për të njohur shtetin palestinez. Londra e sheh këtë hap si një levë presioni për një zgjidhje të përhershme. Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi sot se Mbretëria e Bashkuar e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, në një përpjekje për të ringjallur shpresën për paqe midis palestinezëve dhe izraelitëve. Ky vendim historik e rreshton Britaninë në krah të vendeve që kërkojnë një rol më aktiv në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, duke shtuar presionin ndërkombëtar për rifillimin e bisedimeve të paqes.

“Sot, për të ringjallur shpresën e paqes për palestinezët dhe izraelitët, dhe një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës. Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur së bashku me një shtet palestinez të qëndrueshëm. Për momentin, nuk kemi asnjërën,” tha Starmer.

Më herët, Kanadaja u bë vendi i parë i G7 që njohu shtetin e Palestinës, e ndjekur nga Australia. Me këtë vendim, Kanada i bashkohet mbi 140 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që tashmë kanë njohur shtetin palestinez, duke sfiduar qartë qëndrimin e mëparshëm të Otavës dhe përballë kundërshtimeve të forta nga Izraeli.

“Kanada njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës, ashtu edhe për Shtetin e Izraelit,” deklaroi kryeministri kanadez, Mark Carney.

Edhe kryeministri australian, Anthony Albanese, ka konfirmuar se Australia ka ndjekur vendimin e Kanadasë dhe tashmë njeh zyrtarisht Palestinën si një shtet sovran. Në një deklaratë publike, Albanese shkruan se ky vendim është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim që të forcohet mbështetja ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës.

“Australia i bashkohet Kanadasë dhe Britanisë në një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë, përmes krijimit të dy shteteve që jetojnë në paqe dhe siguri,” deklaroi Albanese.