ANGLI – Marc Cucurella, futbollist i Chelseat, është shfaqur ndryshe nga imazhi i zakonshëm prej lojtari të fortë në fushë. Në sezonin e dytë të serialit dokumentar “Married to the Game” në Amazon Prime, ai dhe partnerja e tij, Claudia Rodriguez, kanë ndarë publikisht dhe me shumë ndjeshmëri përvojën e tyre si prindër të një djali me autizëm.
Çifti ka tre fëmijë: Mateo, Rio dhe Claudia, por ishte diagnoza e autizmit e Mateo-s që tronditi jetën e tyre familjare, pak pasi Cucurella u transferua te Chelsea në vitin 2022.
“E kuptuam që disa gjëra ishin ndryshe nga fëmijët e tjerë,” rrëfen Claudia me emocion. “Nuk morëm ndihmë nga shkolla. Ishin muajt më të vështirë të jetës sonë. Çdo ditë e çonim Mateo-n në shkollë, unë isha shtatzënë me Rio-n, dhe çdo ditë ktheheshim në shtëpi duke qarë.”
Gjatë intervistës, Cucurella shpërtheu në lot dhe mezi arriti të fliste: “Po, fëmija yt është autik, por askush nuk të përgatit për këtë. Ne si prindër duhet të mësojmë shumë…”. Më pas, i mbushur me emocione, kërkoi një moment për të marrë veten, ndërsa Claudia vazhdoi të rrëfente.
“Ai ka vështirësi me ndryshimet. Është shumë e vështirë për të kur ndryshon vendin, orarin, ushqimin. Pa shkollë dhe terapi, gjithçka bëhet më e rëndë. Duhet gjithmonë të mendosh për Mateo-n. Ka gjëra që do të doje t’i bëje, por nuk mundesh, sepse nuk janë më të mirat për të. Edhe pushimet janë gjithmonë të vështira.”
Rrëfimi përfundoi me një përqafim të fortë mes Claudia-s dhe Marc-ut, mes lotëve dhe emocioneve, duke treguar forcën, dashurinë dhe sakrificat e një familjeje që përballet çdo ditë me sfida të mëdha, por me guxim dhe pa hequr dorë.
