Tapeti i kuq u shtrua për maturantët e Ersekës në qendër të qytetit, e më i veçanti ndër ta ishte Aldo Nurollari, i cili është me Sindromën Down.
Ai kishte shoqëruese shoqen e fëmijërisë, e cila mbajti premtimin duke i ardhur si shoqëruese në mbrëmjen e maturës, edhe pse prej vitesh jeton në Zelandën e Re.
Katerina Sulo ishte përkrah tij në minimaturë 3 vite më parë, por fjala e dhënë ndaj Aldos për ta shoqëruar edhe në maturë ishte premtimi i saj i mbajtur.
”Erdha për një arsye shumë të veçantë, për diçka që ndodh njëherë në jetë, nuk do e kisha mundësinë përsëri. Unë i premtova Aldos në 9 vjeçare kur dolëm në minimature që do dilnim bashkë në maturë dhe me ne fund e realizuam. Për të qenë e vështirë ishte, për t’u zënë me prindërit vetëm pak sepse doja të vinim në Korrik, por matura nuk bëhej pa mua”, thotë ajo.
