Më 13 tetor 2025, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se duke filluar nga viti i ardhshëm do të hiqen tarifat e roaming-ut për komunikimet celulare mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Ky vendim nënkupton se qytetarët shqiptarë do të mund të përdorin numrat e tyre të telefonisë celulare në vendet e BE-së me të njëjtat tarifa si në Shqipëri, pa kosto shtesë për thirrje, mesazhe apo internet.
Aktualisht, tarifat e roaming-ut mes Shqipërisë dhe BE-së nuk janë të rregulluara me ligj, por që nga viti 2023 ka hyrë në fuqi një marrëveshje rajonale për uljen e çmimeve të internetit në roaming, e ndërmjetësuar nga Komisioni Europian. Marrëveshja përfshin 38 operatorë të shërbimeve celulare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian.
Nga Shqipëria, pjesë e marrëveshjes është bërë kompania One Albania, ndërsa edhe Vodafone Albania aplikon tarifa preferenciale për klientët që përdorin rrjetet Vodafone brenda BE-së.
Marrëveshja parashikon një ulje progresive të çmimit për internetin në roaming: nga 18 euro për gigabajt që nisi më 1 tetor 2023, në 14 euro për gigabajt duke filluar nga viti 2026 dhe më tej në 9 euro për gigabajt nga viti 2028.
Si rezultat, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së kanë tashmë qasje në internet me tarifa më të ulëta. Po ashtu, turistët europianë që vizitojnë Shqipërinë përfitojnë nga çmime më të favorshme për shërbimet celulare gjatë qëndrimit të tyre.
Sot, në Zonën 1 të roaming-ut (ku përfshihen shumica e vendeve të BE-së), tarifa bazë për internetin është 2.4 lekë për megabajt, shumë më pak se 40–60 lekë për megabajt që ishte përpara hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Ndërkohë, përdoruesit e shërbimeve celulare në Shqipëri kanë në dispozicion edhe paketa të dedikuara për roaming, të cilat ofrojnë çmime më të leverdishme kundrejt një tarife fikse.
Premtimi për heqjen e plotë të tarifave roaming në vitin 2026, nëse realizohet, do të zgjerojë përfitimet duke përfshirë edhe thirrjet dhe mesazhet, jo vetëm trafikun e të dhënave. Në këtë mënyrë, shqiptarët që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian do të komunikojnë sipas kushteve të planit të tyre tarifor vendas, njësoj si brenda vendit.
Kjo iniciativë ndjek modelin e marrëveshjes së arritur mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku që nga fundi i qershorit 2021, qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës komunikojnë pa tarifa roaming brenda rajonit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë vitit 2024 rreth 857 mijë shqiptarë përdorën shërbimet roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor, me një rritje prej 5 për qind krahasuar me vitin 2023. Volumi i internetit të konsumuar në roaming arriti në mbi 1.2 milionë gigabajt, me një rritje prej 38 për qind.
Aktualisht nuk ka të dhëna të detajuara për përdorimin e roaming-ut nga shqiptarët në vendet e BE-së, por sipas INSTAT, në vitin 2024 u regjistruan afro 7.9 milionë dalje nga territori i vendit, me një rritje vjetore prej 14 për qind.
