7 korrik 2026 – AF Elbasani nuk ka arritur të marrë fitoren në përballjen e parë ndaj BATE Borisov, në raundin e parë të Ligës së Konferencës, duke e mbyllur sfidën në barazim 1-1.
Skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç kaloi e para në avantazh në “Elbasan Arena” falë golit të Ardit Nikajt në minutën 45+1. Sulmuesi përfitoi nga një asist i Hebajt për të dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhënë avantazhin skuadrës shqiptare në përfundim të pjesës së parë.
Elbasani pati mundësi të dyfishonte rezultatin në pjesën e dytë, me Nikajn që rrezikoi sërish portën kundërshtare, por portieri i BATE Borisov reagoi duke mbajtur skuadrën bjelloruse në lojë.
Miqtë arritën të barazonin në minutën e 67-të. Rusakov shënoi për BATE Borisov, në një aksion ku topi përfundoi në rrjetë duke rikthyer baraspeshën në 1-1.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit.
Sfida e dytë mes BATE Borisov dhe AF Elbasanit do të luhet më 16 korrik, në orën 19:00, në Azerbajxhan.
AF Elbasani – BATE Borisov 1-1
Shënues: Nikaj 45+1’ / Rusakov 67’




