Gjykata Kushtetuese kalon çështjen e mbylljes së TikTok për shqyrtim në seancë publike, rrëzon kërkesën për pezullimin e vendimit

TIRANË- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se Gjykata Kushteteuse ka kaluar çështjen e mbylljes së TikTok për shqyrtim në seancë publike. AGSH thekson se ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit.

Më tej është bërë me dije se Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë. Sipas tyre shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson për rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) mirëpret vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën tonë të përbashkët me organiztat partnere për shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 151 të datës 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave, që ndalon përdorimin e platformës “TikTok” në Shqipëri. Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend. Megjithëse Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë, shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson për rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve.

Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat AGSH mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e hapësirës mediatike të lirë dhe të pavarur në Shqipëri.

Vendimi për mbylljen e “Tik Tok” u mor nga qeveria pas një konsultimi publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes me thikë të nxënësit 14-vjeçar Martin Cani nga një bashkëmoshatar. Pas konsultimit me prindër e mësues në mbarë vendin, ishte vetë kryeministri Edi Rama, që njoftoi në konferencën e fundit të 2024-ës, se mbi 90% e tyre janë për mbylljen e “Tik Tok”, pasi e shohin si të dëmshëm për fëmijët.