Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Erion Veliajt – Lë në fuqi vendimin e Apelit për masat e sigurisë

Tiranë, 8 Korrik 2025 – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi vendimin nr. 13 (87-2025-85), datë 13.03.2025, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në seancën e mbajtur sot në orën 12:00, trupa gjykuese e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi, shqyrtoi ankesën e paraqitur nga Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, dhe gjashtë biznesmenë të tjerë, lidhur me masat e sigurisë të caktuara më herët nga Apeli i Posaçëm.

Akuza: Korrupsion dhe pastrim parash
Sipas SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë të dyshuar për ngritjen e një skeme të organizuar korrupsioni dhe pastrimi parash, me qëllim përfitimin e fondeve publike të Bashkisë së Tiranës dhe marrjen e ryshfeteve nga kompani kontraktore.

Hetimet flasin për përdorimin e një rrjeti kompanish private dhe organizatash jofitimprurëse, për të kanalizuar përfitime të paligjshme dhe për të fshehur origjinën e fondeve.