Deputeti Ervin Salianji është dënuar me një vit heqje lirie ditën e sotme për dosjen “Babale”.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për deputetin demokrat Ervin Salianji.
Në seancën e sotme Gjykata e Apelit pranoi një kërkesë të avokatëve të Geron Xhafës për të marrë si provë një vendim për pushimin e hetimeve të dhënë nga gjykata e krimeve të rënda për klientin e tyre.
Trupa gjykuese pas tërheqjes për vendim, vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, e cila e ka dënuar atë me burg për kallëzim të rremë.
Deputeti Ervin Salianji ka theksuar në përfundim të seancës se vendimi ndaj tij ishte politik.
Salianji më tej theksoi se ka për të bërë një fushatë elektorale të jashtëzakonshme edhe nga burgu.
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.