Gjermania fiton edhe ndeshjen e fundit me Sllovakinë dhe shkon në botëror!

GJERMANI – Gjermania dhe Sllovakia u përballën për vendin e parë në grup për kualifikueset e Botërorit 2026. Të dyja skuadrat e nisën sfidën me nga 12 pikë, kështu që skenari ishte shumë i qartë. Gjermanisë i duhej barazim ose fitore për t’u kualifikuar direkt në Kupën e Botës 2026.

Sllovakisë i duhej vetëm fitorja. Ndeshja përfundoi 6-0 në favor të Gjermanisë, që zuri vendin e parë, ndërsa Sllovakia e dyta kalon në “play-off”. Shorti do të hidhet më 20 nëntor, ku 16 skuadrat e kualifikuara do të mësojnë kundërshtarët e tyre.

Përsa i përket ndeshjeve të tjera të mbrëmjes së sotme, Holanda mposhti 4-0 Lituaninë. Fitore tenistike arriti edhe Çekia ndaj modestëve të Gjibraltar.

Kroacia dhe Polonia fituan me vështirësi në transfertë respektivisht ndaj Malit të Zi dhe Maltës me rezultatin 2-3. Fitore minimale 1-0 arriti edhe Irlanda e Veriut ndaj Luksemburgut.