Gjithashtu në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar sende të përkohshme banimi si çadra, sende personale si dhe mjete bujqësore.
GREQI – Një plantacion me bimë narkotike është zbuluar në kufirin greko-shqiptar, konkretisht midis territorit të Bashkisë Filat dhe atij të Bashkisë Konispol.
Bimët narkotike u gjetën pas një operacioni të organizuar mëngjesin e ditës së sotme nga Drejtoria e Policisë së Epirit në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Filatit dhe Policinë e Igumenicës në një zonë pyjore në brezin kufitar.
Plantacioni i madh ishte i mirëorganizuar pasi ishte i pajisur me një rezervuar uji të improvizuar dhe sistem vaditjeje. Janë asgjësuar në total 2451 bimë cannabis sativa. Nga këto 1252 kishin gjatësi nga 1.1 deri në 1.5 metra ndërsa 1199 në gota gati për mbjellje. 762 bimë nga 1199 ishin të thara.
Gjithashtu në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar sende të përkohshme banimi si çadra, sende personale si dhe mjete bujqësore. Autoritetet greke vijojnë hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në këtë çështje.