Fletë votimi të falsifikuara në lokalin e kryeplakut në Pekisht/ Prokuroria e Elbasanit i përgjigjet PD: Hetimi është në proces

Elbasan, 2 qershor 2025 – Prokuroria e Elbasanit ka konfirmuar nisjen e një procedimi penal për rastin e denoncuar nga Partia Demokratike, lidhur me fletë votimi të dyshuara si të falsifikuara në fshatin Pekisht, njësia administrative Pajovë në Peqin. Denoncimi lidhet me veprimtari të paligjshme që dyshohet se janë zhvilluar në ambientet e lokalit të kryeplakut të fshatit, Dervish Beqiri.

Në përgjigjen zyrtare të dërguar ndaj kërkesës së Partisë Demokratike, Prokuroria bën të ditur se çështja është në trajtim dhe ndodhet aktualisht në fazë hetimi. “Nga verifikimi i kryer nga zyra e regjistrit, rezulton të jetë regjistruar procedimi penal nr. 522, datë 26.05.2025, për veprën penale ‘Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve’, parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal,” thuhet në dokumentin zyrtar të prokurorisë.

Ky zhvillim vjen pas akuzave të forta nga PD për krime zgjedhore të kryera në prag të zgjedhjeve, duke kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të thelluar të ngjarjes. Organi i akuzës ka konfirmuar se po vijon ndjekja procedurale dhe hetimore e çështjes, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi personat e përfshirë ose provat e mbledhura deri tani.