INDI- I mbijetuari i vetëm i tragjedisë ajrore në Indi mësohet se ishte ulur në sediljen 11A të avionit Boeing. Sedilja e tij ndodhej pranë njërës prej daljeve të emergjencës së avionit.
Në pamjen planimetrike të Boeing 787-8 Dreamliner ndenjësja ku ishte ulur 39-vjeçari Vishwas Kumar Ramesh, i cili shpëtoi i gjallë, tregohet me të kuqe. Direkt përpara kësaj ndenjëse dhe në të majtë të avionit është dalja e emergjencës.
Pasagjeri vetë përshkroi se kishte parë trupa pranë tij përpara se të ngrihej dhe të dilte me vrap nga avioni pas rrëzimit. 39-vjeçari pësoi vetëm lëndime të lehta në fytyrë, gjoks dhe këmbë.
“Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të fortë dhe pastaj avioni u rrëzua. E gjitha ndodhi kaq shpejt. Kur u ngrita, kishte trupa përreth meje. U frikësova. U ngrita dhe vrapova. Kishte copa të avionit përreth meje. Dikush më kapi dhe më futi në një ambulancë dhe më çoi në spital”, tha i mbijetuari i tragjedisë së avionit me 290 të vdekur.
