Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me rastin e një fëmije 1-vjeçar nga Gaza, i sjellë në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore. Ai ka adresuar komentet kritike dhe keqinformimin në lidhje me sistemin shëndetësor dhe kujdesin ndaj fëmijëve në Shqipëri.
“Pashë disa komente lidhur me ndihmën që i dhamë familjes nga Gaza dhe fëmijës 1-vjeçar. E kam më ty, Daniel, dhe ty adash, kur shkruani këto komente, a jeni seriozë apo është thjesht një reagim i pakuptimtë nga inati?” – ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se kritikat dhe keqinformimet shpesh burojnë nga “llumi i foltoreve dhe kanaleve të gënjeshtrave” dhe se kjo nuk i shërben realitetit.
“Ku i keni parë fëmijët që ne i lëmë të vdesin? Kjo është një pyetje retorike. Çdo vit në Shqipëri kurohen 46 mijë fëmijë në pediatri, 15 mijë prej tyre në QSUT, dhe 2400 fëmijë operohen me sukses të plotë,” tha Kryeministri.
Reagimi i Ramës vjen pas një valë kritikash në rrjetet sociale për trajtimin e rasteve të shëndetësisë dhe ndihmës ndaj qytetarëve. Ai ka përsëritur angazhimin e qeverisë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të specializuara dhe për ndihmën ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.
