‘Falë viktimave të 21 janarit u bëre kryeministër’! Rama i kthehet komentuesit për 21 janarin: S’është qëllimi im…

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit në rrjetet sociale lidhur me 21 janarin, teksa sot shënohen 14 vite nga vrasja e 4 protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një komentues i shkruan kryeministrit se po të ishte për drejtësi, një gjë e tillë do të kishte ndodhur që nga momenti kur ai u bë kryeministër në vitin 2013.

Por kreu i qeverisë kujton se drejtësinë nuk e bën kryeministri dhe as partia në pushtet. Ai thekson se “çdo vit që kalon jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar”, ndërsa një mesazh e kishte edhe për SPAK-un e drejtësinë e reformuar. “A kam gjëra për të thënë? Kam aq shumë sa nuk ua tregon dot, por dua t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj që SPAK nuk do të jetë edhe për shumë kohë me gjithçka tjetër përveçse me 21 janarin i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit”

Reagimi

Të të akuzoj lidhur me drejtësinë për 21 janarin dikush që emrin për frikën e tij e ka “Primare në PD”, kjo është për të qarë dhe qeshur. Nuk dua të bëj polemikë me askënd që komenton këtu. Le të fokusohemi tek thelbi. Edhe një sërë komentuesish të tjerë nga dëshira për drejtësi harrojnë se jetojmë në një sistem ku drejtësinë, larg qoftë, nuk e bën as kryeministri, as qeveria, as partia në pushtet. Prandaj besoj duhet të jetë shumë e qartë që të gjitha pretendimet, kritikat, akuzat drejtuar nesh për mosdhënie drejtësi për 21 janarin, janë thjesht në adresë të gabuar.

Por unë dhe ne nuk kemi qëndruar duarkryq, por kemi bërë një betejë epokale për drejtësinë, për pavarësinë e saj nga pushteti politik, për krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë ne dhe për të gjitha. Pa PS dhe mua në krye të krye të saj nuk do kishte as reformë në drejtësi, as SPAK dhe as ndryshim të dukshëm tanimë të rrugës së drejtësisë. Në rrugën e re të drejtësisë mund të ketë plot gjëra të kritikueshme dhe të papranueshme, por kjo është një rrugë e re ku institucionet kanë mbështetjen tonë dhe pjesë e kësaj mbështetje të pakrahasueshme me asgjë në rajonin tonë, është patjetër qëndrimi për të mos bërë komente për raste konkrete. Edhe kur mund të mos jemi dakord fare me trajtimin e tyre. Kështu që, ccfarë mund të them unë sot për drejtësinë për 21 janarin? A kam gjëra për të thënë? Kam aq shumë sa nuk ua tregon dot, por dua t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj që SPAK nuk do të jetë edhe për shumë kohë me gjithçka tjetër përveçse me 21 janarin i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit. Dhe prandaj çdo vit që kalon jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar por njollos edhe vetë reformën në drejtësi, duke poshtëruar familjet e dëshmorëve të 21 janarit, por një popull të tërë që do drejtësi për 21 janarin dhe meriton drejtësi për 21 janarin sepse drejtësia për 21 janarin është drejtësi jo thjesht për një ngjarje të djeshme por për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme”.