“Evropa e Re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët!” Mbahet sot në Tiranë Samiti i Komunitetit Politik Europian

TIRANA- Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane do të mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Në samit, i cili mbahet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.

Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit. Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit, përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin. Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani. Ndërkohë, për Shqipërinë – e cila ende përpiqet të çrrënjosë ndikimin e gjatë të regjimit komunist dhe të anëtarësohet në BE – ky është moment kyç.

“Është kënaqësi ta shohësh se sa larg ka arritur Shqipëria dhe që mban një takim të tillë me liderët e BE-së dhe Britanisë”, tha Dritan Hoti, 46 vjeç.

“Shqipëria po ec në drejtimin e duhur, pavarësisht të gjitha telasheve që ka pasur”, shtoi ai.

Para se t’i bashkohet BE-së, Shqipëria duhet ta fshijë reputacionin si një qendër shpëlarjesh parash për trafikantët e armëve dhe drogës, ku disa jetojnë në luks dhe shumë të tjerë në varfëri. Transparenca politike është gjithashtu e rëndësishme pas zgjedhjeje të diskutueshme, ta cilat kryeministri Edi Rama i fitoi zyrtarisht me rezultat të thellë, por të cilat po hetohen nga Prokuroria dhe nuk po pranohen nga opozita.

Kreu i opozitës dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, ka thirrur një protestë paqësore gjatë samitit të së premtes. Ekspertët thonë se marrëveshja e Ramës për të pranuar emigrantë nga Italia, për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe për ta bërë vendin të hapur për investime të huaja – përfshirë ato të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump – Jared Kushner – kanë forcuar shanset e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

“BE-ja po kërkon një histori suksesi”, tha Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London.

“Shqipëria dhe Mali i Zi mund ta kenë një mundësi, pasi të dyja janë vende shumë të vogla dhe nuk do të kenë ndonjë ndikim apo trysni të madhe mbi BE-në”, shtoi ai.

Shumëçka varet nga sa shumë e duan vetë vendet e Ballkanit anëtarësimin në BE. Hoxhaj tha se besimi ndaj BE-së ka humbur paksa në rajon, pjesërisht sepse e ka bërë procesin e anëtarësimit shumë të vështirë. Kosova dhe Serbia gjithashtu kanë synime për t’u bërë pjesë e BE-së, megjithatë mospajtimet e kamotshme mes këtyre vendeve fqinje e ka ngadalësuar përparimin. Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të tensioneve etnike në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë javë mori pjesë në festimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore në Moskë, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli. Zyrtarisht, liderët do të zhvillojnë një sërë takimesh tematike.

Ky samit është më i dobishëm si një platformë ku liderët mund të mbajnë takime dypalëshe, ose në grupe të vogla, për të shprehur mendimet e tyre mbi çështjet kryesore evropiane. Ndryshe, Tirana po përgatitet edhe për fluksin e së premtes. Fluturimet nga aeroporti i Tiranës, i cili është në rindërtim e sipër për shkak të një lulëzimi të turizmit, mund të ndërpriten për shkak të trafikut të shtuar ajror, njoftoi vetë aeroporti në një postim në Instagram. Kufizimet e qarkullimit në të gjithë kryeqytetin pritet të shtojnë më tej trafikun në unazën tashmë të mbingarkuar. Edhe rrugët për këmbësorë rreth qendrës së zhurmshme, ku do të mbahet samiti, do të jenë të kufizuara./ REL

Nga Erasmus+ tek tregu i përbashkët, Shqipëria pret përfitime reale nga Samiti i Komunitetit Politik Europian

TIRANA- Samiti i nivelit të lartë i Bashkimit Europian që po mbahet të premten në Tiranë pritet të sjellë disa zhvillime konkrete. Ndryshe nga samitet simbolike të viteve të mëparshme, pritshmëritë nga pala shqiptare nga takimi i nesërm janë për rezultate të prekshme si instrumente, fonde dhe akses real në tregjet dhe politikat e BE-së.

Nga tre tryeza bisedimesh, dy janë për agjendën ekonomike të reformave dhe politikat për rininë. Prej vitesh, Shqipëria përballet me një valë të madhe emigracioni te të rinjve, nga më të lartat në rang global në krahasim me popullsinë dhe gjithashtu renditemi si vendi me nivelin më të lartë të varfërisë sipas të dhënave të Eurostat.

Në këtë kontekst, emigrimi i kontrolluar i të rinjve i mbështetur nga programe të BE-së si Erasmus + po konsiderohet si një rrugë e mesme për të ofruar mundësi pa nxitur largimin e përhershëm. Nga samiti i sotshëm Shqipëria pret të përfitojë më shumë mbështetje financiare dhe teknike për të zgjeruar pjesëmarrjen në këto programe dhe për të përfshirë jo vetëm studentët, por edhe të rinjtë në formim profesional, mësohet nga dokumentet zyrtare të BE-se në lidhje me samitin.

Krahas Erasmus+, pritet të diskutohet edhe një zgjerim i skemave të praktikave profesionale në vendet e BE-së dhe njohja më e gjerë e diplomave shqiptare. Shqipëria kërkon që të jetë pjesë aktive e iniciativës për “Një Hapësirë Europiane të Arsimit”, që do t’i lejonte studentët shqiptarë të lëvizin më lirshëm për studime e punë brenda BE-së.

Në tryezën e çështjeve ekonomike pritshmëritë Shqipërisë janë për mbështetje konkrete për reformat strukturore që po ndërmerr vendi në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu vendi pret nga liderët e BE që të përshpejtojnë përfshirjen e Shqipërisë në tregun e përbashkët europian.

Në muajt e fundit, Shqipëria ka përgatitur një listë me reforma që përfshijnë përmirësimin e klimës së biznesit, digjitalizimin e administratës publike, forcimin e sistemit tatimor dhe uljen e informalitetit, por gjithashtu vendi ynë mbetet pas më një seri ligjesh dhe reformash që duhen miratuar dhe zbatuar për te alokuar fondet.

Nga samiti i sotshëm pritet jo vetëm vlerësimi i progresit të deritanishëm, por edhe një mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore për realizimin e këtyre reformave. Brukseli ka vendosur një fond prej 6 miliardë eurosh për rajonin, me kushtin që vendet përfituese të angazhohen seriozisht në transformime konkrete.

Shqipëria, në këtë kuadër, synon të sigurojë një pjesë të rëndësishme të financimit prej më shumë se 950 milionë eurosh për sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, mundësitë e Shqipërisë për të maksimizuar përfitimet e procesit të anëtarësimit zbehen nga mungesa e kapaciteteve administrative për të përthithur fondet e BE-së. Projekte të rëndësishme mbeten shpesh në letër për shkak të paaftësisë për të menaxhuar ciklin e plotë të aplikimit, zbatimit dhe monitorimit.

Shuma e kredive të nënshkruara nga partnerët e huaj dhe BE arriti në mbi 2 miliardë euro në mars 2025, një rekord historik. Edhe nga fondet e brendshme në buxhetin e vitit të kaluar nuk arritën të shpenzoheshin rreth 450 milionë euro të programuara. Kjo tregon se, në vendin tonë nuk janë problem likuiditetet, por mungesa e aftësisë për ti përdorur ato sipas kushteve të rëna dakord në marrëveshjet përkatëse më kreditorët.

Raportet e monitorimit tregojnë problematika të vazhdueshme në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike dhe atyre ndërkombëtare. Mungesa e garës së ndershme në prokurime, vonesat në zbatimin e reformave dhe politizimi i institucioneve janë shqetësime që përmenden gjithnjë në raportet e progresit nga BE. Pa adresimin e këtyre pikave, ndihma dhe mbështetja financiare rrezikojnë të mos sjellin impaktin e pritshëm.

Në aspektin e arsimit dhe formimit profesional vendi ynë ende përballet me mospërputhje mes aftësive që ofron sistemi arsimor dhe nevojave të tregut të punës. Kjo pengon të rinjtë të gjejnë punë në vend dhe shton presionin për të emigruar./ Monitor

“Fokusi te Ukraina, siguria dhe e ardhmja!” Mbahet sot Samiti i Komunitetit Politik Europian/ Liderët e kontinetit mblidhen në Tiranë, ja axhenda e tyre

TIRANA- Në Tiranë mbahet sot Samiti i gjashtë të Komunitetit Politik Europian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Samiti do të mbahet në Sheshin “Skënderbej”, ku do të marrin pjesë liderët e 47 vendeve evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.

Pjesëmarrës më Samit do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Punimet do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane.

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Tryeza e tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT

10:00 – Mbërritje

11:00 – Ceremonia e hapjes

11:30 – Foto familjare

11:45 – Seanca e parë plenare

13:00 – Dreka zyrtare

14:30 – Tryeza tematike

15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve

17:30 – Seanca plenare mbyllëse

18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)

Samiti i Komunitetit Politik Europian/ Ja akset rrugore që do të bllokohen sot në Tiranë, orari përkatës

TIRANA- Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave për mbarëvajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Europian. Kufizimet e lëvizjeve përfshijnë akset kryesore të kryeqytetit, por jo vetëm. Gjithashtu këto kufizime janë të vlefshme dhe do të zbatohen nga data 15 maj (dje) dhe 16 maj (sot).

Policia thotë se bllokimi i akseve rrugore do të ketë si qëllim sigurinë e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” (dhe pikat e tjera të kalimit kufitare PKK Hani i Hotit dhe PKK Morinë) në drejtim të Tiranës. Në njoftim flitet për bllokim të plotë aksesh rrugore, bllokim parkimi, ndalim pushimi dhe qëndrimi si dhe për kufizime të pjesshme.

Njoftimi i plotë:

BLLOKIME TE AKSEVE RRUGORE

Bllokime të plota të akseve rrugore:

Për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” (dhe pikat e tjera të kalimit kufitare PKK Hani i Hotit dhe PKK Morinë) në drejtim të Tiranës:

Më datë 15.05.2025, nga ora 08:00 – 24:00, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në intervalin kohor të lëvizjes së delegacioneve në aksin rrugor: “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas – Hyrja te autostrada e re “Thumanë-Kashar” – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Mbikalimi i Kasharit – Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re krahu i Astirit – Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza” – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano”- Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit).”

Më datë 16.05.2025, nga ora 06:30 – 11:30, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në aksin rrugor: “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas-hyrja e autostradës së re “Thumanë – Kashar”, Autostrada “Durrës-Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit – Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re krahu i Astir – Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër) – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza” – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit).”

Më datë 16.05.2025 nga ora 13:00-18:00, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në aksin rrugor: “Sheshi “Skënderbej” – Rruga George W. Bush” – Rruga e Elbasanit – Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër – Unaza e Re krahu i Astir – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Autostrada e re “Thumanë-Kashar” – Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas.”
Sqarim: Rrugëkalimet do të jenë të bllokuara në të dy krahët, në momentin e kalimit të delegacioneve.

Nisur nga këto bllokime në këto orare, qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve luten të ndjekin udhëzimet e Policisë dhe të përdorin rrugët alternative që do të sugjerohen:

Për Rinas do jenë të aksesueshme akset:

o Rrugët dytësore të autostradës “Tiranë-Qafë Kashar – Rinas”;

o Unaza Veriore, degëzimi i “Paskuqan – Institut – Kamëz – Domje – Laknas – Rinas:;

Për zonën e Astirit do jenë të aksesueshme rrugët lidhëse:
o Nënkalimi i “Pallatit me shigjeta”;

o Mbikalimi i rrugës “Teodor Keko” – Mbikalimi i sheshit “Shqiponja” – degëzimet lidhëse në rrugët dytësore.

Për zonën e qytetit “Studenti”, Rrugën “Qamil Guranjaku”, bllokun e vilave gjermane do të kenë akses me daljet në rrugët alternative me bulevardin “Bajram Curri”, në drejtim të Brylit.

Për hyrjen dhe daljen në spitalin “Shefqet Ndroqi”, tek rrethi i Sanatoriumit, do të kenë herë pas here devijime sipas orareve të delegacioneve dhe mund të kenë akses në rrugën “Pasho Hysa”, në drejtim të rrugës “Ali Demi”.

III. BLLOKIME TE PARKIMEVE

o Në rrugë të caktuara të kryeqytetit, do të ndalohet parkimi dhe qëndrimi i mjeteve për një periudhë të përkohshme. Kjo masë do të jetë e vlefshme përgjatë ditës së samitit.

o Mjetet që shkelin këtë urdhër do të largohen me karrotrec dhe ndaj drejtuesve do të merren masat përkatëse administrative.

Më datat 15.05.2025 – 16.05.2025 do jenë të paaksesueshme parkimet publike/private:

o Në Rinas, 2 parkimet tek zona VIP dhe 2 parkimet private përballë zonës VIP.

o Në Tiranë, parkimet nëntokësore te sheshi “Skenderbej”, Hotel “Plaza”, Hotel “Tirana”, Godina “Torre Drini”, Qendra Tregtare “Toptani”, Kulla “Green Tower”.

Nisur nga kufizimet, këshillojmë evitimin e lëvizjes me mjete personale në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza”

KUFIZIME TE PJESESHME

Do të ketë kufizime të qarkullimit në zonat përreth vendeve ku zhvillohen aktivitetet e samitit. Më datat 15.05.2025-16.05.2025, do të ketë kufizim të përkohshëm të lëvizjeve të automjeteve në akset rrugore:

Hotel “MAK Albania” – Stadiumi “Air Albania” – Rruga “Dervish Hima” – Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” -Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano” – aktivitet;
Hotel “Marriot” – Rruga “Dervish Hima”- Rruga e Elbasanit- Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”- Rruga e Dibrës- Rruga “Urani Pano”-aktivitet;
Hotel “Rogner” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”-Rruga “Gjergj Filipi” -Rruga “Dervish Hima”, – Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”- Rruga e Dibrës Rruga “Urani Pano”-aktivitet;
Hotel “Plaza” – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori”- Rruga e Dibrës- Rruga “Urani Pano”-aktivitet, Hotel Tirana Internacional në aktivitet;
Hotel “Xheko Imperial” – Rruga “Ibrahim Rugova”, Rruga “Lek Dukagjini” -Rruga “Dervish Hima”, Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano”-aktivitet;
Hotel “Radison” – Rruga “Hamdi Garunja”-Rruga e “Ullishtes”-Rruga e liqenit të thatë-Unazë e Madhe-Sauk- Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit);
Hotel “Hilton” – Bulevardi ”Gjergj Fishta”-Rruga e Kavajës- Unaza e Madhe-Sauk- Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano”-aktivitet;
Hotel “Ark Boutique” – Rruga “Ibrahim Rugova” -Rruga “Abdyl Frashëri”-Rruga “Gjergj Filipi”-Rruga “Dervish Hima”,Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush” -Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit);
Hotel “Diplomat 1” – Rruga “Sulejman Delvina”-Rruga “Abdyl Frashëri”-Rruga “Gjergj Filipi”- Rruga “Dervish Hima”, Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit);
Hotel “Holiday In”, Rinas – Mbikalimi në Qafë Kashar – Autostrada Tiranë-Durrës -Mbikalimi i Kasharit- kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja”-Unaza e re krahu i Astir-kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – rrethrrotullimi i Saukut të vjetër – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza” (drejtim i ardhjes nga aeroporti për në qytetin e Tiranës);
(Kufizimet e mësipërme do të jenë më datë 15.05.2025, sipas orareve te lëvizjeve dhe më datë 16.05.2025, nga ora 08:00 deri në orën 11:00).

Më datë 15.05.2025, nga ora 19:00 – 24:00, do të ketë kufizime të pjesëshme të aksit: “Rruga e Elbasanit – Rrethi i Saukut – Autostradë – Rrethrrotullimi i “TEG” – Rezervat e Shtetit.”

NDALIMI, PUSHIMI DHE QËNDRIMI

Po Më datat 15.05.205 dhe 16.05.2025, gjatë orarit 06:00-20:00, ndalohet qëndrimi dhe pushimi i automjeteve, nga rrethi i “Ekonomikut” – Rruga e Elbasanit – Rruga “George W. Bush” dhe te i gjithë perimetri që është devijua

“Evropa e Re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët!” Mbahet sot në Tiranë Samiti i Komunitetit Politik Europian

TIRANA- Ditën e sotme në Tiranë mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian. Rreth 50 liderë shtetesh dhe qeverish nga mbarë Evropa do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar mbi sfidat më të mëdha me të cilat po përballet kontinenti. Nën moton “Evropa e Re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ky forum politik synon të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre jashtë tij, si një platformë e hapur për dialog.

Diskutimet e samitit do të zhvillohen rreth tri tryezave tematike, të cilat reflektojnë orientimin strategjik të Evropës përballë krizave aktuale dhe të ardhshme. Një nga temat kryesore është siguria, me theks të veçantë te mbështetja për Ukrainën dhe përpjekjet për të forcuar kapacitetet e përbashkëta mbrojtëse të kontinentit.

Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu se si të mbrohen demokracitë evropiane nga ndërhyrjet e jashtme, përmes qendrueshmërisë institucionale dhe rritjes së transparencës. Një tjetër bosht i rëndësishëm i diskutimit është ndërtimi i një Evrope më konkurruese dhe të qendrueshme ekonomikisht. Kjo përfshin angazhime për investime strategjike, nxitjen e zhvillimit teknologjik, si dhe përshpejtimin e tranzicionit drejt energjive të pastra.

Tema e tretë e samitit në axhendën e Tiranës lidhet me sfidat e mobilitetit dhe fuqizimin e të rinjve. Në një kohë kur migracioni mbetet një çështje e ndjeshme në shumë vende, diskutohet nevoja për politika të harmonizuara që mundësojnë lëvizje të sigurt dhe të rregullt të fuqisë punëtore brenda kontinentit, duke parandaluar fenomenin e emigracionit të parregullt. Po ashtu, do të vihet theksi në krijimin e mundësive për të rinjtë, qoftë në arsim, në tregun e punës apo në përfshirjen në jetën demokratike të vendeve të tyre.