Eurostat: Mbi 35% e të rinjve shqiptarë privohen nga të mirat materiale

Më shumë se një në 3 të rinj të moshës nga 15-29 vjeç në Shqipëri vuajnë nga privimi i rëndë material. Ky është treguesi më negativ në të gjitha vendet e Europës me një diferencë të theksuar nga vendi i parafundit.

Të dhënat janë bërë publike nga një publikim i posaçëm i Eurostat, zyrës së statistikave të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat në vitin 2021, mbi 35.1 për qind e të rinjve shqiptarë të moshës nga 15 deri në 29 vjeç vuanin nga privimi i rëndë material. Kjo është norma më e lartë në të gjithë kontinentin. Vendi i dytë me treguesin më të përkeqësuar në Europë është Romania me 23.1 për qind, ndërsa mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian është 6.1 për qind.

Shkalla e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) është një tregues që tregon një mungesë të detyrueshme të sendeve të nevojshme dhe të dëshirueshme për të bërë një jetë të përshtatshme .

Treguesi, i miratuar nga Komiteti i Mbrojtjes Sociale në Bruksel, bën dallimin midis individëve që nuk mund të përballojnë një të mirë, shërbim ose aktivitet shoqëror të caktuar. Ai përkufizohet si përqindja e popullsisë që përjeton mungesë të detyrueshme të të paktën 7 nga 13 artikuj privimi (6 të lidhura me individin dhe 7 të lidhura me familjen).

Lista e artikujve në nivel familjar:

  • Aftësia për të përballuar shpenzime të papritura
  • Kapaciteti për të përballuar pagesën për një javë pushim vjetor larg shtëpisë
  • Kapaciteti për t’u përballur me pagesat e prapambetura (për pagesat e hipotekës ose qirasë, faturat e shërbimeve, këstet e blerjes me qira ose pagesa të tjera kredie)
  • Kapaciteti për të përballuar një vakt me mish, pulë, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë
  • Aftësia për ta mbajtur shtëpinë në mënyrë adekuate të ngrohtë
  • Aksesi në një makinë/fugon për përdorim personal
  • Zëvendësimi i mobiljeve të konsumuara
  • Lista e artikujve në nivel individual:
  • Pasja e një lidhje interneti
  • Zëvendësimi i rrobave të konsumuara me disa të reja
  • Të kesh dy palë këpucë që përshtaten siç duhet (përfshirë një palë këpucë për çdo mot)
  • Shpenzimi i një sasie të vogël parash çdo javë për veten e tij/saj
  • Pasja e aktiviteteve të rregullta të kohës së lirë
  • Takimi me miqtë/familjen për një pije/ vakt të paktën një herë në muaj.

Sipas Eurostat, 35.1 për qind e të rinjve shqiptarë kanë mungesë të paktën të 7 artikujve nga 13 artikujt e mësipërm.