Bashkimi Europian ka shtyrë përsëri hyrjen në fuqi të ETIAS (European Travel Information and Authorisation System), sistemit të ri të autorizimit të udhëtimit për shtetasit e vendeve që mund të hyjnë pa vizë në zonën Schengen.
Sistemi pritej të niste në vitin 2027, por tashmë BE nuk jep një datë konkrete për zbatimin e tij.
ETIAS do t’u kërkojë udhëtarëve nga vende që aktualisht nuk kanë nevojë për vizë për qëndrime të shkurtra në Europë. si Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanadaja dhe Australia, të marrin një autorizim elektronik përpara udhëtimit.
Shkak për vonesën janë problemet teknike dhe vonesat që lidhen me sistemin e ri europian të menaxhimit të kufijve.
BE ka bërë të qartë se ETIAS nuk është aktualisht funksional dhe nuk po pranohen aplikime. Data përfundimtare e nisjes do të njoftohet disa muaj përpara se sistemi të hyjë në fuqi.
Kjo do të thotë se, për momentin, udhëtarët që përfitojnë nga regjimi pa viza nuk duhet të aplikojnë apo të paguajnë për ETIAS. Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu të mos përdoren faqe që pretendojnë se mund të bëjnë aplikime ETIAS që tani./Euronews




