Euro në rënie të lirë: Veç eksporteve vendase, po goditet dhe turizmi, përfiton vetëm qeveria

Java që lamë pas solli një dobësim të ndjeshëm të euros, duke arritur një nivel të ri historik të kursit të këmbimit euro-lekë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë monedha europiane këmbehet me 97.84 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë që në tregun e lirë valutor, një euro shitet me 98.1 lekë, ndërsa blihet me 97.3 lekë.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se kursi i këmbimit ndodhet nën ndikimin e sezonit turistik, që shoqërohet me rritje të prurjeve të monedhës së përbashkët europiane.

Efektet e sezonit kanë nisur të forcohen që nga tremujori i dytë, ndërsa në këtë periudhë të vitit arrin pikën më të lartë.

Për të mbajtur në kontroll kursin e këmbimit, dhe mos lejimin e forcimit të mëtejshëm të lekut, Banka e Shqipërisë, ka rinisur blerjen e drejtpërdrejtë në treg të valutës. Për këtë vit banka qendrore planifikon të blejë nëpërmjet ankandeve nga 270 në 350 milionë euro.

Ndërsa së bashku me blerjet e drejtpërdrejta në treg, kjo vlerë mund të jetë shumë më e lartë, duke patur parasysh që vitin e shkuar Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu valutor i brendshëm 933 milionë euro.

Një lek gjithnjë e më i fortë, veç eksporteve vendase po godet edhe sektorin e shërbimeve, duke filluar nga turizmi pasi të ardhurat kryesore të vizitorëve të huaj janë në euro. Gjithashtu, forcimi i lekut po ndikon negativisht edhe familjet përfituese të remitancave, duke ulur të ardhurat e tyre të disponueshme në lekë.

Ndërkohë që efekte pozitive nga forcimi i lekut në përgjithësi ka patur qeveria shqiptare, sepse kursi i këmbimit ka qenë faktori kryesor në uljen e borxhit publik, si dhe ato familje që kanë kredi të euro.