Ernest Muçi hap faqen e re/ Ylli i Kombëtares transferohet tek Besiktas

Ernest Muçi është një futbollist i Besiktas.

Lojtari do kalojë sot vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë për klubin turk kontratën deri në verën e vitit 2027. Ai që ishte një lajm i papritur në mediat turke, fillimisht u zbulua nga vetë futbollisti me një postim në Instagram.

Muçi postoi një foto të një shalli me logon e Besiktas, atë që është stacioni i radhës i karrierës së sulmuesit i cili largohet nga Legia e Varshavës, klub me të cilin mori famë edhe në arenën ndërkombëtare.

Më pas ishte klubi turk ai i cili i ka uruar mirëseardhjen me një video sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Gjithashtu, turqit kanë publikuar foto të lojtarit në avionin që ishte dërguar në Poloni për të dërguar në Turqi futbollistin .

22-vjeçari shqiptar u transferua në Varshavë nga Tirana në vitin 2021. Ai mund të luajë si mesfushor, në krahët e sulmit dhe qendër sulmues.

Teksa luante me bardheblutë e Tiranës ai ka shënuar 20 herë nga 54 ndeshje zyrtare. Ndërkohë në Varshavë ka shënuar 21 gola nga 114 ndeshje të luajtura me Legian.