GREQI- Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira e njohur në Greqi ka folur së fundmi në një emision atje për nënën e saj dhe vështirësitë që ajo hasi pasi emigroi nga Shqipëria. Foureira ka vlerësuar mundin për rritjen e 4 fëmijëve nga nëna e saj edhe pse në kushte të vështira financiare. Ajo foli se sa shumë i ndryshoi perceptimi për prindërimin pas lindjes së djalit të saj, Hermes, dhe sa më thellë e kuptoi vlerën e nënës së saj.
Këngëtarja shpjegoi se që nga momenti që lindi djali i saj, ajo arriti ta kuptonte nënën e saj, Marjetën, e cila e rriti atë dhe vëllezërit e motrën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, pavarësisht vështirësive që ajo hasi. Gjithashtu ajo foli edhe për “transformimin” që i solli amësia dhe lindja e djalit të saj.
“Gjithmonë e kam dashur mamin tim, e respektoj, e kam pasur si heroinën time. Ajo rriti katër fëmijë në rrethana shumë të vështira. Rreth një muaj pasi linda, i thashë se nuk mund ta besoja që kishte rritur katër fëmijë, pa para. Mbaj mend që nuk kisha me çfarë të luaja, asaj i duhej që të qepte rrobat tona. Nuk mund ta besoja që na kishte rritur kaq mirë, me kaq shumë durim. Atëherë e kuptova sa shumë më do mami im, është e mrekullueshme. Nuk ka dashuri të tillë.
Unë jam përgjithësisht spontane. Që nga momenti që djali im erdhi në jetën time, kuptova sa më spontane isha dikur dhe si humbet e gjithë kjo me kalimin e viteve. Pra, që kur erdhi Hermes, jam përpjekur të bëhem përsëri fëmijë me të. Ti piqesh përmes gjithë kësaj. Është një ndjenjë e mrekullueshme, nuk mendoj se krahasohet me asgjë tjetër në botë. Mësova të dua, do të flas për veten time. Mësova se çfarë është dashuria pa interes”, tha këngëtarja.
