
Miliarderi dhe shefi i Teslas është bërë nga mbështetësit kryesorë të fushatës zgjedhore të Donald Trump-it. Ai përdor kontrollin e teknologjisë për të ushtruar pushtet. Për njeriun më të pasur në botë, drejtimi i një perandorie biznesi nuk mjafton. Elon Musk, pronar i disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë, duke përfshirë prodhuesin e makinave Tesla, platformën e mediave sociale X dhe kompaninë e hapësirës ajrore SpaceX, është bërë gjithashtu një lojtar i dukshëm në politikë. Ndërsa SHBA përgatiten të zgjedhin një president të ri në nëntor, Musk ka shpallur mbështetjen e tij për kandidatin republikan Donald Trump, i cili i ka premtuar atij një rol udhëheqës në administratë nëse ai rizgjidhet.
Musku, 53 vjeç, ka përdorur rregullisht ndikimin përmes kompanive të tij për të ndërhyrë në debatet politike në vende të botës, nga Brazili në Gjermani.
Ndërhyrja e Muskut në politikë, e paprecedentë në mënyrën e hapur si bëhet dhe në dukshmërinë e saj, nxjerr në pah sesi disa kompani private të teknologjisë dhe drejtuesit e tyre kanë gjithnjë e më shumë pushtet të pakontrolluar mbi vendimet e rezervuara tradicionalisht për qeveritë, paralajmërojnë ekspertët e të drejtave digjitale.
“Lloji i teknologjive që operon Musku është shumë kritik, dhe kompanitë që ai zotëron janë jashtëzakonisht me ndikim dhe të vendosura në pika kyçe për sa i përket qasjes së informacionit dhe gjeopolitikës,” tha Marietje Schaake, anëtare në Qendrën e Politikave Kibernetike të Universitetit Stanford dhe autore e “Grusht shteti teknik: Si të shpëtojmë demokracinë e Silicon Valley”.
“Dhe Musku jo vetëm që i drejton këto kompani për të maksimizuar suksesin e tyre,” tha për DW Schaake, ish-deputete e Partisë liberale holandeze Demokratët 66 në Parlamentin Evropian. “Ai po i përdor ato gjithashtu si mjete për agjendën e tij gjeopolitike.”
Nga i vetëshpalluri “i moderuar” tek i djathti ekstrem i linjës së ashpër
Që nga themelimi i kompanisë së tij të parë në mesin e viteve nëntëdhjetë, biznesmeni me origjinë nga Afrika e Jugut Elon Musk ka krijuar një sërë biznesesh të suksesshme dhe ka grumbulluar një pasuri të vlerësuar në më shumë se 243 miliardë dollarë (224 miliardë euro).
Talenti i tij për rritjen e startup-eve në kompanitë kryesore të teknologjisë i ka dhënë gjithashtu atij kontroll në rritje mbi infrastrukturën kritike digjitale dhe gradualisht e ka ndihmuar të zgjerojë ndikimin e tij politik.
Aktualisht, programi amerikan hapësinor NASA mbështetet në kompaninë astronautike të Musk-ut, SpaceX, për të nisur satelitët. Filiali i SpaceX Starlink sjell internetin me brez të gjerë në disa nga vendet më të largëta në botë dhe është bërë një mjet i domosdoshëm për ushtarakët në zonat e konfliktit, nga Ukraina në Gaza.
