Elbasani përmbys Teutën dhe rikthehet te fitorja në Superiore

6 Shkurt 2026

Elbasani ka reaguar menjëherë pas rezultateve të fundit, duke siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Teutës në ndeshjen e javës së 23-të të Kategorisë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Gvozdenovic triumfoi me përmbysje 2-1, në një përballje ku protagonisti absolut ishte senegalezi Boye, i cili debutoi në mënyrë ideale me fanellën verdheblu.

Takimi nisi me ritëm të ulët dhe pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që krijuan pak raste të pastra shënimi. Loja mori tjetër drejtim pas pushimit, teksa intensiteti u rrit dhe të dy ekipet kërkuan avantazhin.

Ishin miqtë nga Durrësi që gjetën të parët rrugën e rrjetës. Gonçalves realizoi një gol spektakolar, duke i dhënë epërsinë Teutës dhe duke çuar rezultatin në 1-0.

Megjithatë, reagimi i Elbasanit ishte i menjëhershëm. Në minutat në vijim, Boye mori përsipër rolin e liderit, duke shënuar dy gola dhe përmbysur rezultatin në favor të vendasve. Dy realizimet e senegalezit vulosën fitoren 2-1 dhe një debutim për t’u mbajtur mend.

Falë këtij suksesi, Elbasani ngjitet në kuotën e 42 pikëve në renditje, ndërsa Teuta mbetet në 27 pikë pas përfundimit të kësaj jave.