Ndeshja e javës së 20 në Kategorinë e Parë i ka dhuruar fitore skuadres së Elbasanit që ka siguruar tre pikët edhe pse përballë nuk kishte kundërshtarë shumë të thjeshtë.
Elbasani fitoi në transfertë ndaj Tomorit me rezultatin:
TOMORI 1-3 ELBASANI
72′ De Oliviera/ 19′ Telushi, 43′ Lleshi, 61′ Melo
Barazimi dhe e gjithë situata që ndodhi pas ndeshjes me Flamurtarin është lënë pas krahëve në Elbasan.
Ekipi është fokusuar te ndeshja e radhës, me Tomorin në transfertë. Një përballje që në kampin verdheblu është vlerësuar maksimalisht. Gabimi ishte i ndaluar, për më tepër që e kanë marrë një paralajmërim nga drejtuesit që nuk do të tolerohen më. Rikthimi te fitorja ka bërë që Elbasani të konsolidojë pozitat në vendin e dytë dhe që të mos lejojë shkëputjen e Bylisit në krye të klasifikimit.
AUTOKRITIKA – Elbasani nuk gabon kurrë dy herë radhazi dhe këtë e thonë shifrat e këtij sezoni. Barazimi me Flamurtarin mund të cilësohet hap fals, edhe pse përballë ishte një rival direkt dhe me një pikë verdheblutë mbajnë distancën në + 10 nga ky kundërshtar. Elbasani bën menjëherë autokritikë kur duket se gjërat nuk shkojnë dhe nuk i ka ndodhur asnjëherë që të qëndrojnë dy ndeshje radhazi pa fituar.
Për të mos thënë që pas Flamurtarit skuadra ndizet dhe ndërron “marsh”, duke nisur një cikël ndeshjesh radhazi me fitore, siç ndodhi pas humbjes në fazën e parë në Vlorë. Nga ai moment nisi shkëputja me rivalët në klasifikim. Në klub shpresojnë që të ndodhë sërish e njëjta gjë dhe pas Flamurtarit ekipi të rinisë edhe njëherë ciklin e fitoreve.
ELBASAN CINIK – Nga ana tjetër, verdheblutë kanë një skuadër që nuk gabojnë me ekipet e vogla në letër dhe që kanë synim mbijetesën, duke treguar cinizmin dhe marrë pikët në sfidat ku nuk duhet të gabojnë. I vetmi rast kur elbasanasit kanë gabuar me ekipet e gjashtëshes së dytë të klasifikimit është në start me Kastriotin në transfertë, ku u ndal në barazim.
Që atëherë, nuk ka pasur asnjë hap fals me këtë grup skuadrash, duke treguar në njëfarë mënyre edhe petkun e një ekipi konstant dhe pretendent. Janë pikërisht ndeshjet me këta rivalë që e mbajnë Elbasanin komod në vendin e dytë dhe të shkëputur me shtatë pikë nga ndjekësi më i afërt, pasi me rivalët direkt në njëfarë mënyre kanë ndarë apo lënë pikët. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse kjo traditë pozitive me këto skuadra do të vijojë apo do të vijë ndalesa e radhës.
