Elbasani humb me Egnatian

ELBASAN – Egnatia nuk di të ndalet. Në kuadër të javës së 24-t të Abissnet Superiores, skuadra rrogozhinase ka triumfuar me rezultatin 2-1 në transfertë përballë Elbasanit.

Në Elbasan Arena sfida u zhbllokua në minutën e 32-të në favor të rrogozhinasve me një gol të realizuar nga Lushkja. Katër minuta më pare, Tsague nga pika e bardhë humbi një penallti për Elbasanin, të cilën Dajsinani i Egnatias e priti.

Në vijim rastet nuk munguan, por vetëm në limitet e sfidës mbërritën dhe dy gola të tjerë.

Fillimisht ishte Egnatia që dyfishoi shifrat me anë të Leo Melos në minutën e 91-të, ndërsa goli i ngushëllimit për Elbasanin u shënua nga Tsague në minutën e 93-të.

Rrogozhinasit ngjiten në kuotën e 45 pikëve në vend të parë, Elbasani në vend të pestë me 29 pikë.