Edhe pse është 62 vjeç, ai vazhdon ende të luajë futboll dhe beson se: “Unë dhe Cristiano Ronaldo jemi të ngjashëm”!

URUGUAJI – Robert Carmona është 62 vjeç (!), por dëshiron të vazhdojë të luajë futboll. Uruguajani, i cili konsiderohet nga Libri i Rekordeve Guinness si lojtari më i vjetër në historinë e futbollit, e filloi karrierën e tij në vitin 1976 dhe është në kërkim të klubit të tij të 50-të. Ai garanton se duket si… Cristiano Ronaldo.

“Që në fëmijëri e dija se kisha aftësi dhe se mund të bëhesha një futbollist i madh. Gjithmonë kam thënë se një nga gjërat më të rëndësishme për të qenë i suksesshëm në futboll është stërvitja. Për 49 vjet unë kam bërë çdo ditë, pa justifikim 2 deri në 3 orë stërvitje për 6 ditë në javë. Unë dhe Cristiano Ronaldo jemi të ngjashëm në aspektin profesional”, tha ai për gazetën saudite “Al-Eqtisadiya”.

“Unë luaj futboll pa kontratë, vetëm me një marrëveshje me klubin. Edhe pse paga ime bazë nuk është e mjaftueshme për të jetuar, kam burime të tjera të ardhurash që lidhen me të drejtat sportive dhe pjesëmarrjen në ngjarje. Nuk më mungon asgjë, unë tashmë kam luajtur në 49 klube dhe kam zhvilluar më shumë se 2000 ndeshje,”- thotë futbollisti 62-vjeçar Robert Carmona.