Ministrja Albana Koçiu konfirmoi se udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë vendim për heqjen e tij. Ky reagim ka ardhur si rrjedhojë e një lajmi të transmetuar në një nga ekranet informative në vend.
Koçiu njofton se Policia e Shtetit vijon angazhimin në terren për zbatimin e plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
Koçiu shprehu mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe respektimin e masës, e cila ka për qëllim mbrojtjen e jetës dhe sigurinë, veçanërisht të të rinjve.
Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të traumës konfirmojnë një ulje të ndjeshme të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të ndalimit.
POSTIMI I PLOTË:
E PAVËRTETË!
Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.
Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari.













