Kleana Xhuveli do të marrë mandatin e deputetës nga lista e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Në mbledhjen e sotme të KQZ u vendos që mandati t’i kalojë kandidates nga lista e mbyllur e këtij koalicioni, të përbërë nga “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje”, duke i dhënë fund debatit mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi sqaroi se nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar.
“Pretendimi se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen nga kandidimi dhe është pranuar nga KQZ, nuk qëndron. Kodi parashikon që emrat dhe renditja e tyre nuk mund të ndryshojnë pas miratimit përfundimtar. Nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar.
Kjo është e qartë në Kodin Zgjedhor. Si mundet një kandidat të tërhiqet në datën e zgjedhjeve apo një ditë pas? Nuk mund ta bëjë këtë. Për sa kohë KQZ nuk ka vendosur për të shpallur kandidatët fitues, është në të drejtën e ccdo kandidati për të hequr dorë.
Në rastin konkret Kleana Xhuveli ka pohuar se do të marrë mandatin nëse do jetë rasti. E ka bërë këtë deklarim edhe Zeqir Kordhoni, por Xhuveli është renditur më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit.”- tha Celibashi.
