LEZHË- Dy efektivë policie të komisariatit të policisë Mirditë, janë pezulluar nga detyra pas një fotoja të publikuar në rrjet ku shfaqen teksa konsumojnë pije alkoolike teksa janë të veshur me uuniformë dhe në orar të punës.
Vendimi është marrë nga drejtori i policisë së Lezhës.
Sipas njoftimit, ka nisur edhe hetimi disiplinor ndaj 2 punonjësve të policisë, konkretisht nënkomisar P. P. me detyrë specialist në Seksionin për Rendin e Sigurinë dhe inspektor Ll. M. me detyrë nd/specialist SPZ, në Komisariatin e Policisë Mirditë.
Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë nënvizon se lidhur me një foto të publikuar në media në të cilën shfaqen dy punonjës policie të veshur me uniformë të ulur në një lokal, me dy shishe pije alkoolike (birra) në tavolinë, nga Drejtori Vendor i Policisë Lezhë është bërë pezullimi nga detyra si dhe ka filluar hetimi disiplinor për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, bazuar në rregulloren e disiplinës së Policisë së Shtetit, për dy punonjësit e Policisë, nënkomisar P. P. me detyrë specialist në Seksionin për Rendin e Sigurinë dhe inspektor Ll. M. me detyrë nd/specialist SPZ, në Komisariatin e Policisë Mirditë.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të shkeljes së detyrës nga punonjësit e Policisë, si dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë çdo rast me të cilin ata bien në kontakt e të gjitha rastet e paligjshmërisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm, ligjor e të paanshëm.
