Të paktën dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur nga një sulm masiv me dronë ukrainas gjatë natës në rajonin e Moskës, sipas autoriteteve ruse.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, deklaroi se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 249 dronë, ndërsa sulmet shkaktuan zjarre në disa banesa dhe në një magazinë. Në Sofjino, një grua 44-vjeçare humbi jetën pasi një dron goditi një ndërtesë banimi trekatëshe, ndërsa pesë persona të tjerë, mes tyre dy fëmijë, u plagosën.
Një tjetër viktimë u raportua në distriktin Orekhovo-Zuevo, ku një burrë i moshuar vdiq pasi një dron goditi shtëpinë e tij private.
Në Moskë, kryebashkiaku Sergei Sobyanin tha se një dron goditi një ndërtesë pranë një prej bulevardeve të kryeqytetit, ndërsa një objekt në një rafineri nafte u dëmtua. Sipas Sobyaninit, rreth 450 dronë që po drejtoheshin drejt Moskës u rrëzuan, në atë që ai e cilësoi si një sulm të paprecedentë.
Autoritetet ruse raportuan gjithashtu kufizime të përkohshme në trafikun ajror. Në aeroportin Sheremetyevo, më i madhi i Moskës, pasagjerët u njoftuan për kufizime të përkohshme, ndërsa në aeroportin Vnukovo u pezulluan të gjitha nisjet dhe mbërritjet.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje që pretendojnë të tregojnë shpërthime në qiell gjatë natës në rajonin e Moskës, si dhe një magazinë në flakë, por autenticiteti i këtyre videove nuk është verifikuar.
Ndërkohë, Ukraina ka raportuar viktima nga sulmet ruse. Në qytetin Fastiv, në rajonin e Kievit, një nënë dhe dy fëmijët e saj të vegjël, një djalë dhe një vajzë, u vranë nga një sulm rus gjatë së shtunës, sipas drejtuesit të rajonit të Kievit, Tymur Tkachenko. Nga sulmi u dëmtuan edhe disa banesa private. Në rajonin verilindor të Sumit, katër persona humbën jetën pasi një dron rus goditi automjetin me të cilin po udhëtonin, bëri të ditur zyrtari i lartë lokal Oleh Hryhorov.
Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar së fundmi sulmet me dronë dhe raketa, duke goditur objektiva të lidhura me prodhimin e energjisë, transportin dhe infrastrukturën logjistike. Lufta mes dy vendeve vijon që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.




