Rrëfimi i infermieres së mirënjohur/ Prej 37 vitesh në shërbim të pacientëve

Drita Shqau është një ndër ato infermiere që profesionin e bën me zemër e që 37 vjet i ka kaluar në shërbim të pacientëve në spitalin e Elbasanit.
Në pjesën më të madhe të viteve ajo ka punuar pranë fëmijëve të Spitalit Pediatrik.

Drita shprehet se këtë profesion e bën me zemër dhe se dëshira e saj lidhet me anën e saj më të ndjeshme e humanitare.

Puna e një infermieri është tepër e vështirë dhe Drita është shembull se si në kohë aspak të lehta të tregosh profesionalizëm dhe sidomos humanizëm. 97-ta dhe Covidi kanë qenë sfida të vështira për të gjithë e sidomos për vijën e parë të shërbimit shëndetësor. Ajo tregon se bashkë me kolegët është gjendur të kërcënuar duke vënë në rrezik edhe jetën.

Drita shprehet se ndër vite kushtet në spitale kanë ndryshuar duke lehtësuar kështu punën e personelit mjekësor.
“Gjatë periudhës së Covid-19 kemi hasur shumë të vështirësi se veçse me mjekime njerëzit kishin nevojë për t’i qëndruar pranë pasi ishin të rënduar nga ana psikologjike, e megjithatë ia kemi dalë mirë”- thotë ajo.

Drita është ndër ato infemiere që merr respektin dhe mirënjohjen e atyre që i ka shërbyer për kaq shumë vite e sidomos të fëmijëve, tashmë të rritur.

“Në reanimacion kemi shpëtuar shumë jetë, se vinin fëmijë në gjendje të rëndë dhe për këtë jam shumë e lumtur” shprehet ajo.

Si një infermiere e vjetër ajo këshillon të rinjtë që kanë nisur rrugëtimin e këtij profesioni të mos largohen nga Shqipëria dhe ta përmbushin këtë mision në vendin e tyre.